Site icon Telegrafi

Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për shuarjen e zjarrit në bjeshkët e Lubeniqit

Prej disa ditësh, zjarri që ka përfshirë bjeshkët e Lubeniqit po shkakton dëme të mëdha në mjedisin natyror, duke rrezikuar gjithashtu jetën e kafshëve dhe mënyrën e jetesës së banorëve të zonës.

Në këtë situatë kritike, Asamblisti i Komunës së Pejës, Drin Veselaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë një apel të fuqishëm për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet lokale dhe qendrore.

“Zjarret që kanë përfshirë bjeshkët e Lubeniqit nga e Shtuna po shkaktojnë një dëm të jashtëzakonshëm në mjedisin natyror, kafshët, dhe në mënyrën e jetesës së banorëve tanë që kanë lidhur jetën e tyre me këto male”, ka thënë Veselaj, transmeton Telegrafi.

Zjarret në Lubeniq të Pejës/ Foto nga Drin Veselaj, facebook

Ai theksoi se përballë kësaj situate emergjente, ndihma dhe ndërhyrja janë të domosdoshme.

Po ashtu asamblisti ka theksuar se aktualisht, janë vetëm disa banorë të guximshëm të zonës që po përpiqen të ndalin flakët me mundësitë e tyre.

“Këta banorë janë heronj të vërtetë të komunitetit tonë dhe meritojnë respektin dhe mbështetjen e të gjithëve. Por nuk duhet dhe nuk mund të jenë vetëm”, shtoi ai.

Në thirrjen e tij, Veseli i drejtohet komunës, qeverisë dhe KFOR-it, duke theksuar se zjarrfikësit dhe forcat e rendit duhet të mobilizohen sa më parë për të ndaluar përhapjen e zjarrit, në mënyrë që të parandalohen pasoja të rënda për mjedisin dhe për komunitetin që jeton në këto male. /Telegrafi/

Exit mobile version