Site icon Telegrafi

Kërcënon Moska: Zgjedhja e bashkëpunimit me Perëndimin në vend të Rusisë do t’i shkaktonte Serbisë dëme të pariparueshme

Serbia e kupton vlerën e partneritetit me Rusinë dhe zgjedhja e bashkëpunimit me Perëndimit do të ishte e dëmshme për Beogradin.

Kështu është thënë në komentet e përfaqësueses zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, të shpërndara të hënën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Diplomatja ka pretenduar se emisarët nga Uashingtoni, Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të Evropës Perëndimore po bëjnë presion mbi autoritetet serbe “fjalë për fjalë në baza ditore”.

“Interesat kombëtare nuk janë objekt pazaresh, Beogradi e kupton vlerën e pavarur të partneritetit strategjik ruso-serb dhe për këtë arsye përmbahet nga marrja e masave praktike në dëm të marrëdhënieve tona”, citohet të ketë thënë Zakharova.

“Logjika sugjeron që zgjedhja e kundërt do të shoqërohej në mënyrë të pashmangshme me dëme të pariparueshme për vetë Serbinë”, ka thënë më tej ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar më parë, sipas TASS “se operacioni special ushtarak rus në Ukrainë është shkaku i presionit të madh perëndimor ndaj Serbisë”.

Ai gjithashtu, siç thuhet, theksoi se Serbia ka mbetur pa aleatë në Perëndim pikërisht për shkak të refuzimit të politikës së sanksioneve antiruse. /Telegrafi/

Exit mobile version