Familja Schumacher ka kaluar një vit më parë një moment delikat, që nuk ka të bëjë me Michael Schumacher, që është ende në periudhë rehabilitimi pas aksidentit që ka pësuar më shumë se 3 vite më parë.
Mediat gjermane kanë bërë publike sot një ngjarje që ka ndodhur shkurtin e 2016-ës, kur një e-mail kërcënues ka mbërritur në postën e Corina Schumacher, bashkëshortja e Michael.
“Na paguaj 900 mijë euro brenda 31 marsit 2016, në të kundërt fëmijët e tu, në një mënyrë apo një tjetër, do të pësojnë aksident. Dhe në Formula 4 aksidentet janë të shpeshta”, thuhej në letrën kërcënuese.
Një goditje e rëndë për Corina Schumacher, që shihte se si kërcënonin djalin e saj Mick, që një vit më parë garonte në Formula 4.
Por edhe vajzën e saj Gina Maria, që merret me hipizëm dhe këtë vit mbushi 20 vjeç. Por, për fatin e mirë të familjes së 7 herë kampionit të botës në Formula 1, personi që kërcënonte nuk ka qenë një gjeni, përkundrazi.
Corina ka denoncuar kërcënimin në polici, që ka nisur menjëherë hetimet dhe shumë shpejt ka trokitur në derën e një 25-vjeçari në qytetin e Dettingen, transmeton Telesport.
Ai, në letrën kërcënuese, kishte lënë numrin e llogarisë ku do të merrte pagesën nga familja Schumacher, ndaj për policinë ishte e lehtë kapja e tij.
Gjatë gjyqit të zhvilluar pa shumë bujë, personi ka pranuar gjithçka, por ka shtuar se nuk e di përse e bëri kërcënimin. Por tani ai rrezikon një dënim të rëndë edhe pse mund të jetë një person i sëmurë mendërisht.
Çka mund ta shpëtojë nga burgu, por ta mbyllë përgjithnjë në një spital psikiatrik. Gjithsesi, për familjen Schumacher mbyllet mirë një aventurë aspak e këndshme.