Poezi nga: Benjamín Prado
Përktheu: Aurel Plasari
O udhëtar që ikën nga ky qytet Veriu,
ku një dëborë e ëmbël arsyen ta qullos,
ku trenat çajnë rrugës korije të vogla plepash
me druvarë të vagullt si zemra ime në gjoks.
I fol për jetën time dhe për xhadetë e bardha
që çajnë me ngadalë vetmitë e mia të vjetra,
për njerëz që shkojnë rrugës dhe që marrin me vete
mendimin tim dhe e shpien qytetit n’anën tjetër.
Kur prej asaj dhe meje të mbeten veç këto vargje,
hotelet ku një ditë së toku deshëm të flinim,
makinat e parkuara përmbi kujtimet tona,
“Glorieta e Atoçës”, ku e njoha në fillim,
I thuaj se jam ndalur në fund të vetes sime
si një polic që ndalet kur s’ka se kujt t’ia dhjesë,
si udhëtar nën shi që u nxjerr dorën makinave,
si multimilioner pa Benzin Mercedez.
Dhe thuaji që kam mall edhe që ndihem keq,
mu si një president në një urban të natës,
mu si një Kawasaki në një tablo të El Greco-s,
si një qen me katrorë, si një maçok i kaltër.