Trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte ka thënë se do të bëjë gjithçka për të merituar mbështetjen e tifozëve teksa foli gjerë dhe gjatë në intervistën e tij të parë si trajner i klubit anglez.
Ish-trajneri i Interit u largua nga Serie A pasi mori Scudetton e parë të klubit në 11 vjet dhe përfundimisht i dha fund një cikli dominues për një dekadë nga Juventusi.
Conte u shpall zyrtarisht si trajneri i ri i Tottenham Hotspur të martën dhe foli sot për herë të parë në kanalin zyrtar të klubit.
Spurs janë në vendin e nëntë në Premier League pas 10 ndeshjesh dhe Conte tha se është një nder i madh për të marrë drejtimin e Tottenhamit dhe shpreson të kënaqë tifozët duke luajtur “futboll të mirë dhe tërheqës”.
“Të jesh trajner i Tottenhamit është një kënaqësi e madhe, është një nder i madh. Tani, me siguri, dua ta shpërblej këtë besim”, ka thënë fillimisht Conte për kanalin zyrtar të klubit në intervistën i tij të parë si trajner i Spurs.
“Filozofia ime është shumë e thjeshtë, të luaj futboll të mirë dhe tërheqës për tifozët tanë, me pasion. Të kemi një ekip të qëndrueshëm, jo lart e poshtë. Mendoj se tifozët meritojnë të kenë një ekip konkurrues me vullnet për të luftuar. Do të bëj gjithçka për të merituar mbështetjen e tyre”.
𝐓𝐡𝐞 𝐟𝐢𝐫𝐬𝐭 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐫𝐯𝐢𝐞𝐰: Antonio Conte. pic.twitter.com/8BICCuSZbS
— Tottenham Hotspur (@SpursOfficial) November 3, 2021
Conte tashmë ka zbuluar se atij iu kërkua të merrte drejtimin e Spurs gjatë verës dhe përsëriti pse vendosi të priste.
“Sinqerisht, më thirrën verën e kaluar. Por, unë isha shumë i qartë me Tottenhamin sepse sapo kisha përfunduar dy sezone të rëndësishme me Interin, dy sezone shumë të vështira”.
“Sinqerisht, nuk ishte koha e duhur për të rifilluar në një vend tjetër. Preferova të prisja, preferova ta shijoja kohën me familjen time. Gjithashtu, sepse mendoj se emocionalisht, isha ende i lidhur me përvojën e fundit me Interin”.
Conte(nt). pic.twitter.com/Z3HkKc0FZt
— Tottenham Hotspur (@SpursOfficial) November 3, 2021
Ish-trajneri i Italisë mezi pret kapitullin e ri në stadiumin dhe terrenin stërvitor ‘të mrekullueshëm’ në Londrën Veriore.
“Tottenham është një klub i rëndësishëm në Angli dhe një klub i rëndësishëm në botë. Stadiumi dhe terreni stërvitor janë të mrekullueshëm”.
“Klubi dhe Daniel Levy më donin shumë, mendoj se kjo është një mundësi e madhe. Është një nder të pranosh të bëhesh menaxher”.
“Kam parë terrenin stërvitor sot dhe doja të filloja të punoja. Unë arrij në një top klub, këto lloj situatash të shtyjnë dhe të shtojnë dëshirën për të punuar dhe për të bërë diçka të rëndësishme për tifozët e këtij klubi”, përfundoi italiani. /Telegrafi/