Nebih Mehmeti tashmë 35 vite punon në termocentralin “Kosova B”, ku mbanë pozitën e kryepunëtorit.
Ai po kërkon që KEK-u t’ia paguaj tri pagat jubilare që i takojnë në bazë të marrëveshjes kolektive për periudhën 2015-2017, aq sa ka qenë marrëveshja në fuqi.
Sikur Nebihu, janë edhe 1 mijë e 100 persona të tjerë që punojnë në KEK e që iu takojnë pagat jubilare, e që KEK-u pasi është përballur me një numër të madh të padive nga punëtorët e raste të cilat i ka humbur, ka vendosur që të bëjë pagesën e tyre.
“Punoj në KEK që 35 vite dhe sipas kontratës kolektive më takojnë pagat jubilare, 10 vjet, 20, 30 vjet…Sigurisht që është e nevojshme për atë e ka aprovuar dhe na takojnë me kontratë, pasi na takojnë me kontratë besoj që na paguajnë…Nëse nuk i japin institucionet i kemi do të shkojmë përmes Gjykatës, në Sindikatë e kemi avokatin dhe do të shkojmë përmes gjyqit…Mundësia e fundit është Gjykata, por besoj që do të na i japin”, ka thënë ai.
Nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka treguar se si punëtorët kishin bërë padi ndaj KEK-ut për të marrë pagat jubilare.
“Ne kemi informacione se punëtorët kanë bërë padi civile për pagat jubilare të cilat iu takojnë në bazë të marrëveshjes kolektive dhe kanë filluar disa me i fitua ato padi të cilat i kanë bërë. Mirëpo, KEK-u tani ka vendosur që në periudhën e vitit 2015-2017 aq sa ka vlerë marrëveshja e përgjithshme kolektive brenda kësaj periudhe të gjithë ata që kanë mbushur jubilarin 10, 20, 30 vite do t’i marrin pagat brenda vitit 2019. Kështu që, të gjithë ata që e kanë bërë dekadën brenda kësaj periudhe do të paguhen edhe pa padi nëpër Gjykata”, është shprehur ai.
Llumnica ka thënë se menaxhmenti i KEK-ut e ka kuptuar se më mirë është të bëjë pagesën sesa të përballet me procese gjyqësore të cilat do t’i humbasë dhe përveç pagesës së pagave jubilare do të paguaj edhe shpenzimet procedurale.
“Do të fillojnë në bazë të buxhetit, por brenda vitit 2019 do të jepen të gjitha pagat jubilare të cilëve iu takojnë gjatë kësaj periudhe…Rreth 1 mijë e 100 punëtorë të cilëve iu takojnë pagat, një, dy apo tre paga jubilare. KEK-ut i kushton diku rreth 2 milionë euro”, ka thënë ai.
Se punëtorët do të marrin pagat jubilare përmes një përgjigje me shkrim e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KEK-ut Skender Bucolli, i cili ka thënë se KEK e konsideron të pranueshëm detyrimin për pagat jubilare për periudhën 2015-2017.
Aktualisht Korporata Energjetike e Kosovës ka gjithsej 4 mijë e 200 punëtorë. /KP/