Site icon Telegrafi

KEK-u: Po investojmë miliona euro për mbrojtje të ambientit

Zyrtarët e Korporatës energjetike të Kosovës (KEK), kanë thënë se ata janë duke u kujdesur që të investojnë edhe në mbrojtjen e ambientin. Ata kanë treguar e kanë investuar mbi 50 milionë euro, kryesisht nga mjetet vetanake të korporatës për amanetin.

Sipas tyre është e drejtë e çdo qytetari që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin edhe në formë proteste, mirëpo ne mendojmë se zgjidhja më e mirë është që secila brengë e tyre të zgjidhet bashkërisht, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi.

Në KEK thonë se të gjitha të hyrat, kërkesat për shpenzime si dhe Investimet e Korporatës duhet të aprovohen nga ZRRE-ja. “Prandaj, çdo investim hynë në rritjen e tarifave që me automatizëm nënkupton rritjen e çmimit të energjisë. Për këtë arsye edhe vetë investimet e KEK-ut në shumë raste nuk e marrin aprovimin nga ZRRE-ja. KEK-u, në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit për vitin 2016, kishte identifikuar disa projekte infrastrukturore ekskluzivisht për ndihmë të komunitetit, të cilat kapin shumën prej 1 milion euro, qe më pas janë dërguar për aprovim në ZRRE, mirëpo të njëjtat nuk kanë kaluar”, thelohet në komunikatën KEK-ut.

Ndryshe, si edhe është dëshmuar tashmë, mbrojtja e mjedisit është një nga objektivat kryesore të KEK-ut. Pas përmbylljes së ciklit madhorë të investimeve mjedisore, përkundër faktit se KEK operon me stabilimente të teknologjisë se trashëguar e cila nuk ishte dizajnuar të jetë miqësore ndaj mjedisit, ndotja nga impiantet e korporatës është zvogëluar në nivelet më të ultë që nga fillimi i operimeve të tyre.

“Prandaj, përkundër sfidave të prodhimit, objektivë kryesore e KEK-ut nga viti 2009 ka qenë dhe mbetet mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon. Viti paraprak ka qenë viti i përfundimit të suksesshëm të ciklit të investimeve mjedisore e që kapin shumën prej mbi 50 milionë euro, kryesisht nga mjetet vetanake”, theksojnë në KEK shkruan Telegrafi.

Në vazhdim janë disa nga projektet e realizuara

Transporti hidraulik i hirit të Termocentralit “Kosova A”.

Për 50 vite, bartja e hirit të thatë nga Termocentrali “Kosova A” përmes shiritave ishte shkaktar i 80% të ndotjes për zonat përreth.
Në vitin 2013 është ndërtuar sistemi hidraulik i bartjes së hirit nga Termocentrali “Kosova A”.

Me këtë rast është ndërprerë përfundimisht hedhja e hirit të freskët në ish-deponinë e hirit të Kosovës A.

Pastrimi i zonës së ish-Gasifikimit

Impiant i mbyllur ne 1988 – ndotje e trashëguar dhe zonë ku KEK asnjëherë nuk kishte operuar. Janë eliminuar mbi 20 mijë tonelata të materialeve të rrezikshme duke i trajtuar dhe duke i eksportuar për trajtim në BE.

Elektrofiltrat në Termocentralin “Kosova A”

Pas 50 vjetëve operimi, në njësitë aktive të Termocentrali “Kosova A” janë vendosur elektrofiltrat e rinj dhe si rezultat kemi zvogëlim madhor të shkarkimeve të grimcave të pluhurit në ajër. Mesatarja vjetore e këtyre shkarkimeve tani është rreth kriterit të lejuar me ligj (50 mg/Nm3)
Ish-deponia e hirit Termocentrali “Kosova A”

Në ish-deponin e vjetër të hirit të Kosovës A, që nuk përdorët tash e disa vite dhe që ka një hapësirë prej rreth 250 hektarësh është akumuluar hiri që nga fillimi i viteve të 60-ta. Përkundër faktit se kjo ish-deponi e hirit është e trashëguar, KEK-u në mesin e projekteve për përmirësimin e mjedisit është në finalizim të trajtimit edhe të kësaj ish-deponie.

Projekti i dizajnimit dhe mbulimit të kësaj ish-deponie ka filluar para 6 viteve në kuadër të një projekt i përbashkët i Bankës Botërore, Qeverisë holandeze dhe KEK-ut, me ç’rast deri më tani është mbuluar 85% e sipërfaqes. Në sipërfaqen e mbetur prej 15% është bërë dizajnimi gjatë sezonit dimërorë dhe tani është filluar me fazën e mbulimit me djerrinë (dhe) e cila parashihet të përfundojë gjatë 3 muajve në vazhdim.

Ndryshe, si rezultat i punës së bërë gjer më tani, që vërtetohet edhe nga matjet e realizuara në baza të rregullta, niveli i pluhurit përreth ish-deponisë së hirit, është zvogëluar dukshëm dhe që është brenda kufijve të lejuar me ligj.

Si rezultat përfundimtar, një kodër e hirit e cila për 50 vite ishte burim i ndotjes së vazhdueshme e cila prekte një zonë të gjerë nga Obiliqi deri në
Prishtine, është duke u rikultivuar dhe po shndërrohet në një zonë të gjelbër.

Vlen të theksohet se me projektin e lartcekur janë trajtuar edhe deponitë e vjetra në Lismir (palosja e jashtme – jugu) dhe Bardh të Madh (palosja e jashtme – kalaja).

Paralelisht me këtë KEK-u ka nisur edhe mbjelljen e fidanëve në deponitë e djerrinave dhe hirit me ç’rast kemi arritur numrin prej 150 mijë fidanëve të mbjellura në ato zona.

Duhet theksuar se KEK-u është e para dhe e vetmja kompani në vend që i ri-kultivon tokat e eksploatuara duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme. Në këtë vazhdë, në koordinim me aksionarin dhe Bankën Botërore tashmë është aplikuar tek mekanizmat ndërkombëtarë dhe jemi ne proces te marrjes se një kredie të butë për rehabilitimin dhe rikultivimin e tërë hapësirës se gropave të ish-mihjeve të Bardhit dhe Mirashit. Në këtë rast, një sipërfaqe prej rreth 10 km2 e cila është shfrytëzuar për eksploatim të qymyrit gjatë një periudhe shekullore do të rehabilitohet dhe do të kthehet në gjendjen paraprake dhe për shfrytëzim të komunitetit.

KEK-u do të vazhdoi me adresimin e brengës së përbashkët që kemi për mjedisin në zonën e ndikimit që ka korporata. Andaj, mirëpresim çdo reagim të bazuar dhe inkurajojmë që të gjitha brengat rreth kësaj çështje për të mirë të qytetarëve dhe komunitetit, t’i diskutojmë bashkërisht. /Telegrafi/

Exit mobile version