Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se ka rikthyer në prodhim bllokun B1, të Termocentralit “Kosova B”. Sipas drejtuesve të kësaj korporate remonti ka qenë kompleks. Prodhimi vendor nga termocentralet e KEK-ut, sot është rreth 800 megavat orë energji elektrike.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka thënë se e kanë përfunduar me sukses një proces shumë sfidues dhe kompleks të riparimit të turbinave dhe gjeneratorit në bllokun “B1” Termocentralit “Kosova B”.
“Gjatë dy ditëve të fundit janë kryer me sukses të gjitha testet e komisionit në sistemin e Turbinave dhe Gjeneratorit. Kurse dje është bërë ndezja e sistemit te kaldajës, proces ky i cili pastaj ka vazhduar me komisionimin e nxehte në sistemin e turbinave, gjeneratorit G1 dhe pas testimit të suksesshëm, pas mesnatës të datës 12.12.2018 është bërë sinkronizimi i “Njësisë B1” në sistem”, theksoi ai.
Sipas Thaçit, falë angazhimit maksimal të të gjithë akterëve në proces, lëshimi në operim i kësaj njësie është bërë dy ditë para planit dinamik të paraparë.
“Për informim, sot nga ora 01.54 e mëngjesit KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal prodhues në Termocentralet e ‘Kosovës A’ dhe ‘Kosovë B’, respektivisht me njësit gjeneruese A3, A4, B1 dhe B2 dhe me kapacitet maksimal prodhues prej 800 megavat orë energji elektrike”, ka bërë të ditur Thaçi. /Telegrafi/