Pavarësisht rritjes së konsumit të energjisë elektrike dhe rritjes së numrit të konsumatorëve, viti 2018 nuk ka qen i mirë për KEDS-in, në aspektin financiar. Kjo kompani e ka mbyllur vitin me 22 milionë euro humbje.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë gjatë një interviste për Emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com. se nuk janë duke i fituar milionat siç mund të mendojnë disa individë.
“KEDS-i vitin 2018 e ka përmbyllur me humbje që shkojnë me miliona, diku humbjet totale kapin shifrën 22 milionë eurove. Sigurisht që këto humbje derivojnë nga mosnjohja e humbjeve komerciale, apo vjedhjeve të energjisë elektrike të cilat një pjesë të konsiderueshme është duke i mbuluar KEDS-i. Realisht situata financiare e thotë të kundërtën”, tha Buzhala.
Sipas tij, KEDS-i nga fillimi ka bërë edhe investime në rrjet.
“KEDS me fillimin e operimeve, ka filluar dhe investimet, dihet se kanë qenë premtimet që të investohen 20 milionë euro çdo vit, apo 300 milionë euro në periudhën 15-vjeçare. Deri më tani janë investuar rreth 140 milionë euro në total nga fillimi i operimeve”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala. /Telegrafi/