Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ka zbritur me një tjetër projekt investiv në komunën e Pejës.
Është lokacioni Maja e Zezë, një masiv malor turistik, i banueshëm dhe shumë atraktiv për qytetin, në të cilin KEDS-i ka investuar në shërbim të ngritjes së cilësisë së furnizimit, rënies së humbjeve dhe tensionit kualitativ. Sipas banorëve investimi ishte mëse i nevojshëm.
“Dy trafo të reja, 50 shtylla të tensionit të ulët, 40 shtylla të tensionit të lartë, më shumë se 2 mijë metra kabllo kualitative, që të gjitha sipas standardeve të fundit europiane janë investimi që i vie kësaj zone të Pejës, nga ana e KEDS-it”, deklaron zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.
60 ekonomi familjare dhe biznesore, që në këtë pjesë të Pejës kryesisht merren me gastronomi përfitojnë nga ky investim i KEDS-it.
Artan Gruda një prej banorëve në lokacionin Maja e Zezë, thotë se investimi ishte më se i nevojshëm.
“Është punuar. KEDS-i ka shtrirë projektin, me shtylla, me trafo dhe me kabllo. Tensioni në të kaluarën nuk ka qenë aspak stabil. Këtu ja ka vlejtur. Edhe ne jemi Pejë”, shprehet Gruda.
Zëdhënësi i KEDS-it tha se kjo kompani në vazhdimësi është duke punuar sipas Master Planit për rinovimin e rrjetit në gjithë Kosovën.
“Investimet e realizuara në këtë vend dhe ato që pritet të ndodhin, zhvillohen në kuadër të Planit Zhvillimor të Rrjetit të Shpërndarjes, Master Plani i rinovimit të rrjetit elektrik në tërë Kosovën, sipas të cilit KEDS planifikon të investoj 300 milion euro deri në vitin 2025”, përfund Viktor Buzhala. /Telegrafi/