Njëqind e pesëdhjetë e një familje të fshatit Ruvc të Lipjanit tashmë kanë rrjet të ri elektrik, që mundëson rryma të jetë më e fortë, shërbimet më kualitative dhe të bëjnë biznes më lehtë.
Tensioni i ulët, shtyllat elektrike, rrjeti i vjetër, nuk do të jetë më problem për banorët e fshatit Ruvc i Vjetër të Lipjanit. Me punimet në rrjetin energjetik që ka bërë KEDS-i, problemi është zgjidhur për shumë dekada të ardhshme.
Gjithkund të bien në sy shtyllat e reja dhe përçues të fortë elektrik. Me këtë pamje të re energjetike, tash “Ruvci nuk është më i vjetër, por i ri”.
Asgjë nuk është si më parë, shprehen të gëzuar banorët.
“Ndryshimi është 100 për qind, rrjeti është i ri, rryma ma e fortë dhe biznesin e punojmë më lehtë. Më parë na është dashur që lopët t’i mjelim me dorë, tash po përdorim makinën dhe qumështin e dërgojmë me kohë të kompania e qumështit Bylmeti, është puna me të cilën ne jetojmë”, thotë Liridon Hajdini, banor i fshatit.
Gjatë realizimit të punimeve në projektin Ruvc i Vjetër është bërë implementimi i shtyllave të tensionit të ulët, 20 shtylla të tensionit të mesëm, 6363 m rrjet i tensionit të ulët, 800m rrjet i tensionit të mesëm, 1 trafoblindë me fuqi të transformatorit 630 kVA.
Me vendosjen e kabllove bistek është rritur edhe siguria e konsumatorëve për tensionin e ulët.
Numri i familjeve të cilët kanë përfituar nga realizimi i këtij projekti është 151.
Gjatë këtij projekti është bërë edhe demontimi i rrjetit të vjetër që kanë qenë më parë.
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, sikur në tërë Kosovën edhe në këtë rast po aplikon MasterPlanin 10-vjeçar, që u jep përparësi zonave me rënie të mëdha të tensionit. Edhe ky investim është në kuadër të përmirësimit të shërbimeve kualitative të konsumatorëve dhe zvogëlimin e humbjeve./KP/