Site icon Telegrafi

KEDS-i ka reduktuar mbi 40 për qind të humbjeve të energjisë elektrike

Sot, teksa e tërë bota, e sidomos Evropa, po përballet me një krizë të madhe energjetike, gjetja e alternativave të reja për ngrohje tashmë është e nevojshme, bashkë me të edhe mobilizimi i masës së gjerë për kursimin sa më të madh të asaj sasie të energjisë që ofrohet.

Furnizimi me energji elektrike do të jetë sfidë e madhe edhe për Kosovën për t’u përballur me dimrin që po vjen. Te ne, situata bëhet edhe më alarmante kur mungesës së energjisë elektrike për t’i plotësuar nevojat e konsumatorëve i shtohet edhe keqpërdorimi i saj.

Që kur është privatizuar KEDS-i, një nga prioritetet e kësaj kompanie, krahas një sërë prioritetesh tjera, ka qenë dhe vazhdon të mbetet minimizimi i humbjeve në rrjetin elektrik.

Prej atëherë, në vazhdimësi, KEDS-i ka rritur kontrollet tek të gjithë konsumatorët për të cilët dyshohej se e shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar. Rrjedhimisht, personat përgjegjës nga Departamenti i Humbjeve në KEDS, sipas statistikave, bëjnë rreth 400 kontrolle të tilla në baza ditore në tërë Kosovën. Prej tyre regjistrohen mesatarisht 30 raste në ditë duke keqpërdorur rrymën.

Ekipet e autorizuara të KEDS-it vazhdimisht bëjnë inspektime të rrjetit përmes pajisjeve speciale për detektimin e keqpërdorimeve dhe, shpeshherë, të shoqëruara edhe nga Policia e Kosovës, çkyqin konsumatorët e tillë.

Si rezultat i angazhimit maksimal të të gjitha hallkave të kompanisë, humbjet kanë rënë dukshëm që nga viti 2013, kur këto llogariteshin të jenë 31,02 për qind, duke zbritur në 18,48 për qind në vitin 2021. Pra, KEDS për 8 vjet e gjysmë ka arritur të reduktojë mbi 40 për qind të humbjeve totale. Por, ato akoma llogariten të jenë evidente, për çka KEDS-i është i përkushtuar që përmes kontrolleve të vazhdueshme ta kthejë këtë situatë në normalitet. Falë angazhimit të madh të punëtorëve të KEDS-it, numri i të cilëve shkon në 90 në ditë në tërë Kosovën dhe falë pajisjes më të re teknologjike për matjen e njehsorëve elektrikë, rezultati i detektimit të rasteve të keqpërdorimeve është dukshëm më i madh sesa më parë. Pajisja e re, UNITECH, e cila ka filluar së përdoruari ditë më parë nga punonjësit e KEDS-it në mbarë Kosovën, i ka dhënë shtytje të mëtutjeshme detektimit të këtyre rasteve. Vetëm përgjatë vitit 2021, janë regjistruar 8603 raste të keqpërdorimit të energjisë elektrike.

Pavarësisht sfidave me të cilat përballen punëtorët e KEDS-it në baza ditore, ata janë të përkushtuar të kryejnë detyrat me seriozitet, gjithnjë për të mirën e gjithëmbarshme të konsumatorëve.

Keqpërdorimi i energjisë elektrike është i dënueshëm me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

KEDS-i falënderon Policinë e Kosovës, qytetarët dhe mediet për raportimin e rasteve të dyshimta të keqpërdorimit. E raportimi i këtyre rasteve jo vetëm se ua lehtëson punën ekipeve të KEDS-it, por është edhe interes i përbashkët.

Keqpërdorimi i energjisë elektrike dënohet me ligjet e Kosovës. Ato dëmtojnë shtetin dhe konsumatorët e përgjegjshëm. Raportojeni keqpërdorimin përmes Qendrës së Thirrjes në numrin pa pagesë 0800 791 00, përmes email-it, rrjeteve sociale, si dhe mund të vini në zyrat tona për t’i paraqitur ato. Raportimi juaj do të mbetet konfidencial.

Exit mobile version