KEDS në këto kushte të rënda atmosferike vazhdon të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme të ofrojë shërbime për konsumatorët. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e mëdha të borës të ditëve të fundit kanë rritur kërkesën për konsum në nivel rekord.
Përderisa prodhimi vendor (KEK) po bënë gjithçka që është e mundur, ndonëse me një bllok të Kosova A jashtë operimit, siç kanë thënë dje në komunikatën për shtyp, ata po arrijnë të prodhojnë rreth 15190 MWh në ditë.
Në bilancin energjetik, gjatë kësaj periudhe kohore KEK do të duhej të operonte me dy njësi të TC Kosova A dhe me 11.01.2017 të prodhonte 17,880 MWh. Por, janë prodhuar rreth 3000 MWh më pak (14,592 MWh). Ndërsa, importi ishte parashikuar të jetë 1420 MWh. KEDS/KESCO importoi 6603 MWh apo më tepër se 4.5 fish mbi planifikimin. As kjo sasi nuk mjaftoi për të mbuluar tërë kërkesën. Kjo, pasi konsumi total ditor është rreth 28000 MW, që domethënë 52% e konsumit mbulohet nga prodhimi vendor (KEK). Energjia tjetër e nevojshme është duke u siguruar nga importi.
Vendet e rajonit po përballen me mungesë të energjisë, dhe gjetja e energjisë së nevojshme nga importi është e vështirë. KEDS/KESCO janë në kontakt të vazhdueshëm me shitësit që të sigurojnë energji të nevojshme nga importi dhe të furnizojnë çdo konsumator me energji gjatë këtyre ditëve të ftohta.
Ne falënderojmë të gjithë qytetarët që u janë përgjigjur thirrjeve tona për shfrytëzim të përgjegjshëm të energjisë, dhe shfrytëzimin e metodave alternative për ngrohje kur kanë pasur mundësi. Kjo është shumë e rëndësishme sepse na lejon neve të menaxhojmë situatën më mirë.
Përderisa duket që temperaturat do të përmirësohen pak, ne vazhdojmë të shohim një mot të ftoftë, dhe shpresojmë që ky bashkëpunim me qytetarë do të vazhdojë. /Telegrafi/