Site icon Telegrafi

KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

KEDS dhe KESCO ka njoftuar të premten të gjithë konsumatorët se aktualisht furnizimi me energji elektrike në Kosovë është stabil.

Sipas njoftimit, përgjatë tërë verës janë realizuar mirëmbajtje te nevojshme dhe qindra projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të ketë rrjet të qëndrueshëm, sidomos përgjatë dimrit, kur kërkesat për energji elektrike janë më të mëdha.

“Meqë ndodhemi në prag të Vitit të Ri, janë paracaktuar mbi 400 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion të përkujdesen që konsumatorët të festojnë më drita”, thuhet në komunikatën për media.

Përveç punimeve të planifikuara, KEDS-i ka njoftuar se është duke punuar vazhdimisht në mirëmbajtjen e rrjetit elektrik, me qëllim që të gjithë konsumatorët të kenë furnizim stabil me energji elektrike.

Megjithatë, thuhet se furnizimi pa ndërprerje për qytetin e Malishevës mbetet ende sfidues, pasi për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve transmitive të tensionit të lartë mund të shkaktohen mbingarkesa.

“Probleme të njëjta mund të kemi edhe në disa lokacione të kufizuara të qytetit të Ferizajt”.

“Pavarësisht parapërgatitjeve të duhura e me kohë të bëra nga KEDS-i për furnizim të qëndrueshëm gjatë festave të fundvitit, respektivisht përgjatë dimrit, krahas një urimi të përzemërt për Vitin e Ri 2024, ju bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, sepse, duke qenë kështu, përveçse nuk shkaktohet ngarkesë e madhe në rrjet, energjia elektrike shpërndahet tek të gjithë dhe në mënyrë lineare. Gëzuar Viti i Ri 2024!”, vijon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version