KEDS përmes një njoftimi për media ka dhënë shpjegimet rreth privatizimit të distribucionit.
“KEDS e sheh të arsyeshme që, për shkak të informatave të pasakta që kanë qarkulluar në media të caktuara, të qartësojë edhe një herë disa fakte të rëndësishme:
E para, nuk është e vërtetë se privatizimi i rrjetit të distributimit të energjisë elektrike është “vetëm 26.3 milionë”, siç nganjëherë kemi vërejtur, por është 326.3 milionë euro.
Ne si kompani, pjesë e këtij procesi, kemi marrë si obligim të investojmë 300 milionë euro për një periudhë 15 vjeçare.
Ky nuk është vetëm një përkushtim vullnetar yni, por është obligim i gjithëfuqishëm kontraktual, të cilin ne jemi të detyruar ta përmbushim dhe të cilin jemi duke e përmbushur. Prandaj e theksojmë edhe një herë, privatizimi i rrjetit të distribuimit është saktësisht 326.3 milionë.
E dyta, KEDS dhe KESCO që nga mesi i vitit 2013 (kur kanë filluar të operojnë) e deri më sot, nuk kanë shpërndarë asnjë cent si dividendë për aksionarët, ose më qartë – nuk kanë ndarë asnjë euro fitim për vete.
Ajo që kemi parë në disa raste të cilësohet si profit, në fakt janë fonde të cilat përdoren për operimin e gjithëmbarshëm në Kosovë, i mbështetur në numra konkretë shpenzimesh.
Më poshtë mund t’i gjeni disa shifra që e mbështesin këtë fakt të nxjerra nga pasqyrat e audituara financiare, të cilat dorëzohen rregullisht në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZrrE), si agjenci shtetërore e Republikës së Kosovës.
Që nga viti 2013 e deri më sot, KEDS dhe KESCO, pas pagesave që u janë bërë KEK-ut, KOSTT-it dhe kostove operative të kompanisë si dhe tatimit të të hyrave të korporatave, ka gjeneruar para të gatshme prej rreth 73 milionë eurosh.
Këto janë shpenzimet totale nga kjo shumë:
– 56 milionë janë shfryëzuar për investime në rrjet.
– 10.5 milionë janë paguar kreditë.
– 5.1 milionë janë paguar tatimet ndaj insitucioneve të Kosovës.
– Që rezulton në një shumë prej më pak se 6.5 milionë eurosh që shfrytëzohen si kapital operativ për kompaninë, siç është pagesa e faturave dhe obligimeve të tjera financiare të domosdoshme për operimin e një kompanie të një niveli siç është KEDS.
Gjithashtu, duam të ritheksojmë që edhe pse jemi kompani private, ne operojmë si kompani e rregulluar nga ZRrE-ja dhe performanca jonë financiare është e rregulluar nga kjo zyrë.
KEDS dhe KESCO kanë kufizim të hyrave maksimale të lejueshme, që në rast se këto të hyra janë më të larta gjatë një viti, ZreE-ja i zbret ato në vitin vijues, së bashku me interesin e akumuluar.
Ne i raportojmë në baza të rregullta ZRrE-së dhe të gjitha informatat financiare janë lehtë të verifikueshme nga secila palë e interesuar, në këtë rast edhe nga mediat”, thuhet në njoftim./Telegrafi/