Site icon Telegrafi

KEDS avancon tutje sigurinë, kushtet dhe shëndetin e punëtorëve

KEDS vazhdon ta trajtojë me seriozitetin më të lartin sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në punë.

Pas shumë aktiviteteve gjatë gjithë javës, kompania ka realizuar edhe simulimin e evakuimit të punëtorëve në distriktin e Prizrenit në rast zjarri.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS, z. Alpin Dogan, dhe menaxhmenti i lartë i kompanisë kishin udhëtuar drejt Prizrenit për ta vëzhguar nga afër realizimin e simulimit, që nisi nga improvizimi  i një tymi në ndërtesën e distriktit të KEDS aty. Menjëherë intervenuan zjarrfikësit, bashkë me ndihmën e parë, në asistencë të ekipeve të KEDS-it dhe Policisë së Kosovës.

Pas aktivizimit të alarmit, evakuimi i punëtorëve dhe intervenimi i zjarrfikësve dhe i ndihmës së parë u realizua brenda një kohe shumë të shkurtër, çka rezultoi me një bashkëpunim të ngushtë në mes të policisë, zjarrfikësve dhe ndihmës së parë. Z. Dogan u ka ndarë mirënjohje të gjitha institucioneve që asistuan në realizimin e këtij simulimi që mund të shpëtojë jetë në rast të ndonjë situate të paparashikuar.

Akterët që mundësuan këtë ushtrim tregojnë si rrodhi ngjarja e simuluar.

 “Porsa pranuam informatën nga Policia e Kosovës, arritëm në vendin e ngjarjes brenda pak minutave, ku edhe gjetëm vetëm një person në katin e dytë të ndërtesës, i cili kishte mbetur i ngujuar në njërën nga zyrat e saj. Atë e nxorëm jashtë dhe ia dorëzuam ekipit të ndihmës së shpejtë. Gjithçka shkoi në rregull!, tha Sahit Xhemaj, shef i ndërrimit i zjarrfikësve në Prizren.

Edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të ndihmës së shpejtë u shprehën të kënaqur me shpejtësinë e intervenimit të ekipeve përkatëse në vendin e ngjarjes.

Këto aktivitete dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të KEDS për përmirësimin e shërbimeve që ofron dhe implementimit të Standardeve ISO.

“Përveçqë kanë të bëjnë me implementimin e Standardeve ISO, këto aktivitete janë edhe obligim ligjor, bazuar në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë. Aktiviteti i sotëm i simulimit të një aksioni për shpëtim, mbi të gjitha është edhe tregues i sigurisë së punëtorëve tanë në objekt”, tha Burim Islami, menaxher për shëndet dhe siguri në punë në Departamentin për Cilësi, Siguri dhe Trajnime në KEDS.

KEDS po shënon Javën e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë për të katërtin vit radhazi, duke realizuar aktivitete të ndryshme përmes praktikave më të mira në vendet e punës.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti, z. Dogan, bashkë me ekipin e tij përcjellës dhe përfaqësuesit e KEDS në distriktin e Prizrenit, bënë inaugurimin e ndërtesës së re ekskluzive për punëtorët e mirëmbajtjes dhe lidhjeve të reja në rrjet. Ndërtesa moderne dykatëshe tashmë do t’i përmirësojë ndjeshëm kushtet e punëtorëve  të kompanisë në qytetin e dytë më të madh të vendit.

Exit mobile version