Site icon Telegrafi

KEDS angazhon mbi 400 punëtorë në terren pas motit të ligë

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka angazhuar mbi 400 punëtorë në terren për të intervenuar në zonat e prekura pas motit të ligë që kaploi vendin.

Sipas KEDS-it, që nga dita e djeshme dhjetëra ekipe janë gjithandej vendit që të sanojnë dëmet e shkaktuara në rrjet.

“Ekipet po punojnë pa ndërprerë, me të gjitha kapacitetet në dispozicion në mënyrë që konsumatorëve t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike. Moti i ligë, i cili po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme, ka shkaktuar dëme në rrjet. Zonat të cilat janë më të prekura nga dëmet në rrjet janë: Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaji dhe pjesërisht Prishtina dhe Mitrovica. Reshjet e vazhdueshme të borës kanë bërë që në zonat periferike dhe ato malore, depërtimi deri tek avaria e shfaqur në rrjet të jetë më i vështirë por ekipet tona po bëjnë përpjekje maksimale që edhe në ato zona të sanohen dëmet dhe të rikthehet furnizimi me energji”, thuhet në njoftim.

KEDS është duke bërë monitorimin e rrjetit në kohë reale përmes programit “Kosovanet”, ku evidentimi i avarive po bëhet në kohë rekorde ndërkaq përmes sistemit SCADA po mundësohet kontrollimi i nënstacioneve dhe intervenimi më i shpejtë nga ekipet tona.

KEDS u bën apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe nëse shohin ndonjë avari në rrjet ta raportojnë atë përmes Qendrës së Thirrjes në numrin pa pagesë: 0800 791 00 dhe rrjeteve sociale të kompanisë. /Telegrafi/

Exit mobile version