Telegrafi

KE i UEFA-s ndryshoi formatet e kualifikimeve për Ligën e Kampionëve për femra dhe në futsall

Komiteti Ekzekutiv i UEFA ka vendosur të shtyjë dhe të ndryshojë formatin e disa garave për shkak të situatës aktuale me COVID-19 në të gjithë Evropën.

Kjo do të bëhet në mënyrë që të lehtësojë rreziqet dhe njëherësh t’i japë UEFA-s, klubeve dhe federatave kombëtare më shumë kohë për t’u përshtatur me situatën dhe të përgatiten plotësisht ndeshjet, udhëtimet si dhe zbatimi  i Protokollit të UEFA-s për “Kthimin në Lojë”.

Kësisoj, rrethi elitë i kualifikimeve për Kampionatin evropian të grupmoshës 19-vjeç i paraparë të zhvillohej në tetor është shtyrë për në nëntor.

Ndërkohë, gara e Ligës së Kampionëve në konkurrencën e femrave ku Kosovën e përfaqëson KFF Mitrovica, ka pësuar ndryshim. Kësisoj, mini-turnet e rrethit të parë do të zëvendësohen me dy rrethe të eliminimit direkt me nga një ndeshje, ku pjesëmarrëse në rrethin e parë do të jenë 40 ekipe më 3 e 4 nëntor dhe 20 ekipet e kualifikuara në rrethin e dytë, më 18 e 19 nëntor.

Ndryshim ka pësuar edhe formati i Ligës së Kampionëve në futsall, ku rrethi paraeliminiator, rrethi kualifikues dhe rrethi elitë që më parë ishin planifikuar në formë të mini-turneve, tani do të zëvendësohen me rrethe të eliminimit direkt me nga një ndeshje, ku ndeshjet e rrethit të parë do të luhen në nëntor.

Kosovën në këtë garë e përfaqëson FC Prishtina.