Klubi basketbollistik i Bashkimit ka bërë një reagim me rastin e shtyrjes së ndeshjes ndërmjet ekipit prizrenas dhe ekipit bullgar, Rilski Sportit.
Fillimisht u spekulua se moszhvillimi i ndeshjes ishte bërë për shkak të mospajisjes së lojtarëve me viza.
Mirëpo, Ambasada bullgare në Kosovë reagoi duke sqaruar se KB Bashkimi ishte pajisur me kohë me viza, por se klubi i ka tërhequr vet pasaportat.
Ndërsa të njëjtën gjë tashmë e ka konfirmuar edhe klubi nga Kosova.
“Së pari ne dëshirojmë të falënderojmë Ambasadën Bullgare në Kosovë për gatishmërinë për të na pajisur me viza në afat rekord dhe dëshirojmë të ju bëjmë me dije se tërheqja e pasaportave nga ana jonë është bërë pasi dy nga lojtarët tanë nuk kanë pasur afat të mjaftueshëm në pasaportë për t’u pajisur me vizë!”.
“Për këtë arsye ne nuk kemi pasur fondin e mjaftueshëm të lojtarëve për t’u paraqitur në lojën ndaj Rilskit, pasi që dihet që duhet minimum 10 lojtarë të jenë në roster (përbërjen e ekipit)!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e publikuar nga Bashkimi në Facebook. /Telegrafi/