Studime të shumta nga vitet e fundit kanë treguar se Danimarka, Norvegjia dhe Suedia janë ndër shtetet më të lumtura në botë.
Por, për ta arritur këtë, skandinavët i ndjekin disa rregulla, falë së cilave e shijojnë jetën çdo ditë, transmeton Telegrafi.
Modestia dhe respekti për tjerët
Në shtetet Skandinave ekziston Ligji i Jantes, me të cilin edhe bëjnë shaka vet skandinavët, por kjo i ndihmon ata ta krijojnë një shoqëri bashkëpunuese dhe të shoqërueshme.
Modestia dhe respekti për tjerët janë vlera tejet të larta, ndërsa ligji në fjalë i ndalon ata të bëhen arrogantë dhe të pasjellshëm.
Balancimi i jetës së punës dhe familjes
Skandinavët dinë se sa e rëndësishme është t’i kushtoni kohë familjes. Shumica e zyrave në Danimarkë mbyllen në ora 17:00. Veç kësaj, danezët asnjëherë nuk punojnë pas orarit të punës. Në Suedi, disa kompani edhe kanë filluar ta aplikojnë një orar ditor gjashtë-orësh, i cili është dëshmuar se e rritë produktivitetin dhe lumturinë. Familjet shpeshherë dalin në park, luajnë lojëra dhe udhëtojnë me të afërmit e tyre, transmeton Telegrafi.
Mbledhjet familjare
Në Danimarkë ekziston një fjalë e mahnitshme që do të thotë krijimi i një atmosfere komode dhe shijimi i gjërave të mira në jetë me miqtë dhe familjarët: “hygge”. Ulja pranë zjarrit në një natë të ftohtë, veshja e një bluze të nxehtë, pirja e verës dhe ngrënia e ushqimeve të shijshme – kjo padyshim se është “hygge” të cilën çdo njeri mund ta përjetojë dhe të përfitojë nga ajo.
“Hygge” ka të bëjë me solidaritetin, komfortin, mbështetjen dhe vëmendjen të cilën ta kushtojnë dhe ia kushtoni njerëzve më të afërt.
Pritshmëritë realistike
Në librin e saj, “Happy as a Dane”, Malene Rydahl flet për ‘çelësat’ e lumturisë së skandinavëve. Një ndër sekretet më të rëndësishme për të jetuar një jetë të lumtur është formulimi i pritshmërie realistike – por kjo nuk do të thotë se duhet të ndaloni së ëndërruari dhe së vëni qëllime ambicioze.
Gjithashtu, edhe krahasimi i vetes me të tjerët nuk do t’ju ndihmojë të bëheni më të lumtur. Shpeshherë kemi tendenca ta krahasojmë jetën tonë me të miqve tanë vetëm duke u bazuar në rrjete sociale, por këto krahasime vetëm kontribuojnë drejt dëshpërimit tonë. Thjesht ndaloni së maturi arritjet tuaja me të tjerët dhe gëzojeni atë që keni. /Telegrafi/