Njohja e profilizimit të çdo karakteri, ndihmon për t’u përshtatur e për të patur marrëdhënie më të mira me të tjerët.
Ekspresivët. Energjikë, krijues, të hapur, optimistë dhe të shpejtë. Mërziten lehtë dhe s’u pëlqejnë hollësitë. Kanë nevojë për nxitje të jashtme dhe u pëlqen të jenë në qendër të vëmendjes. Urrejnë burokracinë, progresin e ngadaltë, njerëzit që nuk shfaqin interes apo entuziazëm, qëndrimet negative.
Ekspresivët është e lehtë t’i dallosh. Janë të drejtpërdrejtë me opsionet e tyre dhe i paraqesin idetë me emocion dhe jo me fakte.
Tipat e dashur. Të ngrohtë, mikpritës, të duruar, bashkëpunues, miqësorë. S’u pëlqen shumë të ballafaqohen me njerëzit. U pëlqen të krijojnë mirëkuptim dhe janë të shkëlqyer për të krijuar lidhje afatgjata. Nuk janë tifozë pas konflikteve, njerëzve jo bashkëpunues, qëndrimeve agresive, atyre që kanë për qëllim të plagosin ndjenjat e të tjerëve, apo ndaj individualistëve egoistë.
Tipat komandues të kenë kujdes! Këta njerëz kanë nevojë të joshen. Nëse futeni me shumë shpejtësi në biznes, ata do të kenë ndjesinë se i keni sulmuar nga pikëpamja intelektuale!
Komanduesit. Të saktë, me rendiment, të vendosur dhe të drejtpërdrejtë. Nuk kanë shumë kohë për t’u shoqëruar me të tjerë. Nuk u pëlqejnë debatet e stërzgjatura. Urrejnë çdokënd që shfaq mungesë interesi, mospëlqim (të pikëpamjeve të tyre), pavendosmërinë dhe vonesat.
Komanduesit kthehen në shtëpi vonë dhe e lënë tryezën punës krejt të pastër. Nëse zyrën e keni rrëmujë, janë më pak të prirur për të bërë biznes me ju dhe e marrin si provë se jeni të papërgatitur.
Analitikët. Analitikë, të saktë, të kujdesshëm, të rezervuar dhe me logjikë të fortë. Nuk nxitohen, i marrin vendimet mbi bazën e fakteve dhe provave, dhe jo mbi bazën e hamendësimeve dhe të parandjenjave. Nuk u pëlqen të duken. Në një zgjedhje politike, do të votonin sipas çështjeve të politikave dhe jo të karaktereve të politikanëve. E kanë bezdi të kenë rrotull njerëz të zhurmshëm dhe kokëfortë.
Nuk e pëlqejnë “kreativitetin” e tepërt dhe e konsiderojnë të menduarit jologjik shumë acarues. Parapëlqejnë të kenë përpara dokumente kur bëjnë dialog. U pëlqen, gjithashtu, të përdorin tryezat e punës si pengesë fizike për të parandaluar intimitetin. Përdorin fjalë të mëdha dhe të komplikuara për të përçuar një kuptim të saktë.
Si shihen prej të tjerëve?
Efekti që këto katër arketipa mund të kenë te njerëzit që nuk janë si ata, mund të jetë alarmues.
Ekspresivët. Ata që nuk janë ekspresivë priren t’i shohin këta tipa si rrodhe, sipërfaqësorë, të shtyrë drejt ekzagjerimit dhe me besim të tepruar te vetja. Tipat ekspresivë janë zakonisht acarues ndaj analitikëve, sepse i shohin këta si shumë emotivë. Ekspresivët entuziazmohen dhe bien në dashuri me çdo ide të mrekullueshme që dëgjojnë. Janë nga natyra entuziastë. Ekspresivët besojnë se pa praninë e tyre nuk do të kishte ide të reja.
Tipat e dashur. Mund të shihen shpesh si të dobët, që e humbasin kohën kot, nuk arrijnë asnjëherë objektivat që ia vendosin vetes, si dhe janë të ngadaltë në marrjen e vendimeve, shkruan Shekulli. Tipat e dashur i acarojnë shumë komanduesit.
Komanduesit. Shihen zakonisht nga grupet e tjera si autokratikë, kritikë, tepër kërkues, të pandjeshëm dhe që duan të mbizotërojnë çdo mjedis. Tipat komandues besojnë se, nëse nuk do të ishte për ta, asgjë nuk do të kryhej në këtë botë. Por ata bëjnë gjërat që të ndodhin.
Analitikët. Priren të shihen (sidomos nga tipat ekspresivë) si kokëfortë, që merren më shumë se ç’duhet me detaje, të dhënë pas perfeksionit, të ngurtë dhe joemotivë. Në fund të fundit, nëse analitikët nuk ia vënë pikat i-së dhe bishtat t-së, kush tjetër do ta bënte? /Telegrafi/