Tifozëve të Meksikës u ndalohet përfundimisht mbajtja e maskave të ‘Lucha Libre’ në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Qeveria meksikane konfirmoi vendimin e Komitetit Organizativ të Katar 2022 ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të vendit Alfonso Zegbe kërkoi sqarime.
“Përditësimi i fundit nga Komiteti Organizativ është se maskat nuk do të lejohen”, ka thënë fillimisht Zegbe për ESPN.
“Më duhet të rrëfej se ne sollëm disa maska luftarake për të pyetur nëse mund të përdoreshin dhe na thanë se nuk e kishin parë”.
Maskat Lucha Libre konsiderohen si një artikull i ndaluar dhe nuk lejohen të vishen brenda stadiumeve në Kupën e Botës.
Zegbe ka paralajmëruar mbështetësit e Meksikës që të mos marrin maska në ndeshjet e kombëtares së tyre.
“Të mos harrojmë se jemi në një rajon kompleks, që është Lindja e Mesme. Në përditësimin e tij të fundit, ku thotë se çfarë mund dhe nuk mund të bëhet, maskat janë të ndaluara”.
“Nëse është në aeroport, alkooli konfiskohet automatikisht, nëse ka diçka që tejkalon sanksionet e vogla administrative, atëherë do të keni mbrojtjen konsullore të autoriteteve meksikane”, përfundoi ministri i jashtëm meksikan.
Sigurimi mund të konfiskojë çdo maskë Lucha Libre nëse tifozët përpiqen t’i futin vjedhurazi në stadium.
Maskat renditen si një artikull i ndaluar krahas kufizimeve të tjera si alkooli.
Komiteti Organizativ i Katarit 2022 pretendon se ndalimi i maskave të Lucha Libre është për arsye sigurie. /Telegrafi/