Kastriot Jahaj, kandidati për deputet i subjektit më të ri politik në Kosovës, Alternativa, e cila është në koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe AKR-në ka vazhduar fushatën në qytetin e Prizrenit.
Jahaj ka shpalosur disa nga arsyet pse duhet të votohet “Koalicioni i Shpresës” duke vendosur si prioritet sundimin e ligjit.
Ai ndër të tjerash ka pohuar se shumë flitet për korrupsionin, po pak flitet për shkaktarët, transmeton Telegrafi.
Ai më tutje ka treguar edhe gjashtë alternativat se si duhet të reformohet sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Më poshtë keni edhe postimin e plotë të Jahajt në Facebook.
Sot kemi prezantuar disa nga arsyet pse duhet të votohet koalicioni i shpresës.
Sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë mund të ndodhë vetëm me vullnet politik, vullnet i cili nuk është dëshmuar deri më tani. Shumë flitet për korrupsion, por pak flitet për arsyet që e shkaktojnë atë dhe gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Gjykatave në Kosovë u ndahet vetëm 1.1% e buxhetit vjetor të Kosovës, apo vetëm 20 milion euro.
Buxheti shumë i ulët ka kufizuar rritjen e numrit të stafit profesional dhe administrativ. Kjo ka shkaktuar zvarritje të proceseve gjyqësore dhe numër të madh të lëndëve të papërfunduara.
Në raportet vjetore të Avokatit të Popullit përmendet shumë shpesh mungesa e resurseve njerëzore si shkak për vonesën dhe mos zgjidhjen e lëndëve, ndërkohë që numri i stafit mbështetës ka mbetur pothuajse i njëjtë, kurse numri i lëndëve të pazgjidhura nuk është zvogëluar.
Alternativa 1: Dyfishim i buxhetit për sistemin gjyqësor dhe prokurorial
Alternativa 2: Rritje e stafit profesional dhe administrativ
Alternativa 3: Përmirësimi i infrastrukturës së gjykatave
Alternativa 4: Rritja e transparencës – publikimi i të dhënave të proceseve gjyqësore
Alternativa 5: Krijimi dhe publikimi i databazës me të dhëna sipas standardeve Evropiane
Alternativa 6: Rritja e llogaridhënies përmes raportimit vjetor në Kuvendin e Kosovës të Kryeprokurorit dhe Kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. /Telegrafi/