Site icon Telegrafi

Karim Benzemas i sekuestrohen me forcë 230 mijë euro dhe iu bllokua xhirollogaria për shkak të aferës “Sextape” me Valbuenan

Në fund të nëntorit, sulmuesi francez Karim Benzema u shpall fajtor për shantazhim në lidhje me një video seksuale të shokut të skuadrës nga kombëtarja franceze, Mathieu Valbuena dhe tani atij i janë hequr me forcë 230 mijë euro nga llogaria e tij bankare.

Një gjykatë në Versajë më 24 nëntor e dënoi sulmuesin e Real Madridit me një vit me kusht dhe 75 mijë euro gjobë, ndërsa sa i përket padisë civile, pesë të pandehurit në çështjen “Sextape” u dënuan me 150 mijë euro si dëmshpërblim për ish-lojtar i Marseille.

Nga ana tjetër, Benzema u urdhërua të paguante edhe 80 mijë euro për shpenzimet e procesit gjyqësor civil dhe duke qenë se ai nuk arriti të paguante 230 mijë eurot e kërkuara nga Mathieu Valbuena, mbrojtja i kërkoi gjykatës që të sekuestronte shumën nga llogaria e francezit, duke bllokuar atë, sipas Le Parisien.

“Këto janë pasojat logjike të vendimit aktual të pagesës. Ne kërkuam një pagesë jashtë gjykatës që nuk ndodhi, kështu që kaluam në hapin tjetër”, ka thënë Paul-Albert Iwens, avokati i Valbuena.

Mbrojtja e Benzemas e cilëson dënimin “të rëndë dhe shumë të padrejtë” dhe njoftoi apelimin.

Për kujtim, sulmuesi i Real Madridit u akuzua se kishte shantazhuar shokun e tij të skuadrës Mathieu Valbuena me një kasetë seksi në vitin 2015. Benzema dhe katër persona i kërkuan Valbuenas nga 50 deri në 100 mijë euro që të mos publikohej video e diskutueshme.

Benzema u akuzua se e inkurajoi Valbuenën të paguante shantazhuesit që video të mos përfundonte në publik. /Telegrafi/

Exit mobile version