Telegrafi

Kardiologu Çelaj për vdekjen e 17 vjeçarit në fushë: Ne e kishim një projekt për të shpëtuar jetë, andaj u indinjova

Kardiologu Sulejman Çelaj ka folur për rastin e vdekjes së futbollistit të Trepçës ‘89, Erion Kajtazi.

Përmes një lidhje direkte në emisionin “Dueli Botëror” në RTV Dukagjini ai ka treguar edhe për projektligjet që i kishin propozuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai tha se “ne kemi paraqitur para ministrisë së shëndetësisë dy projektligje që në vendet publike të ketë defibrillator dhe ndihma e parë CPR të mësohet në shkolla. Në qershor kemi ardhur në Kosovë me disa bashkëpunëtorë nga Londra dhe Italia dhe kemi trajnuar mbi 400 nxënës në 26 shkolla të ndryshme të Kosovës në kazerma të FSK-së që të bëjnë reanimin CPR dhe përdorimin e defibrillatorëve të automizuar”.

Çelaj po ashtu shtoi “ne jemi mundu që ta shtyjmë këtë proces, andaj u indinjova. Më erdhi shumë keq për të riun që ka humbur jetën, sepse ky ishte projekti jonë – që të shpëtojmë jetë. Zakonisht rastet me aretmi kardiake ndodhin tek të rinjtë, teksa infarktet janë shumë të rralla tek të rinjtë”.

Ai po ashtu përmendi “zakonisht kanë probleme me aritmi dhe kur personi pëson arrest kardiak dhe nëse fillojmë të bëjmë reaniminin brenda një kohësh prej tre minitash dhe nëse përdoret defillbratori i automatizuar shanset për të shpëtuar janë shumë më të larta”.