Futbolli i Kosovës këtë vit pritet t’i japë fund bllokadës shumëvjeçare, duke u anëtarësuar në UEFA dhe FIFA. Kjo është bindja e atyre që kanë punuar pareshtur në këtë drejtim, krerëve të FFK-së, por edhe e gjithë opinionit vendor.
Megjithatë, ka dal dikush që ka siguri të madhe se kjo nuk do të ndodhë pa qenë Kosova pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Është kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiq, i cili në një intervistë ekskluzive për Infopress ka thënë se Kosova është ende larg UEFA-s dhe FIFA-s.
“Pranimi do të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova të jetë e pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Njëherë për njëherë, kjo nuk shanse të ndodhë”, theksoi Karaxhiq për Infopress.
Kongresi i radhës i UEFA-s do të mbahet në fillim të muajit maj dhe gjasat janë të mëdha që të aprovohet aplikimi i Kosovës për pranim, derisa Karaxhiq e pranon haptas se do të lobojnë që Kosova të mos marrë votat e mjaftueshme, duke e luajtur edhe rolin e politikanit.
“Duhet ta them haptas se ne do të bëjmë punën tonë. Është qëndrim i politikës së vendit ky. Shpesh dua që politika të mos ketë lidhje me sportin, por këto janë rrethana tjera. Edhe unë jam i mendimit se të rinjtë e Kosovës veriore duhet të luajnë futboll siç bëhet kudo në botë”.
I pari i futbollit serb e ka kuptuar se në Kongresin e radhës të UEFA-së pritet të shqyrtohet aplikimi i Kosovës, madje edhe të votohet, prandaj ekziston një mobilizim i madh i taborit serb që edhe kësaj radhe të punohet kundër futbollit kosovar siç ka ndodhur me dekada.
Krejtësisht në fund, i pyetur për një miqësore eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, Karaxhiq pohoi se kjo nuk mund të ndodhë.
“Ju mund të luani me neve vetëm ndeshje zyrtare kur të jeni të pranuar në OKB”, përfundoi Karaxhiq.