Telegrafi

Karateistit Alvin Karaqi i rezervohet një vend në Lojërat Evropiane ‘Minsk 2019’

Alvin Karaqi (Foto: http://noc-kosovo.org)

Organizatori i Lojërave Evropiane ‘Minsk 2019’ i ka konfirmuar sot (e mërkurë) Komitetit Olimpik të Kosovës ftesën për karateistin Alvin Karaqi, i cili do të prezantojë Kosovën në garat që zhvillohen prej 21-30 qershor të këtij viti në Minsk të Bjellorusisë.

Ai është ftuar në bazë të kriterit të universalitetit, ftesë kjo që iu takon një garuesi të secilës kategori në karate. Karaqit i ka takuar në kategorinë deri në 84 kilogramë, si garuesi nga Kosova me renditjen momentale më të mirë në Federatën Ndërkombëtare të Karatesë.

Ndikim në ftesën e karatesë ka pasur edhe mospjesëmarrja e karateistëve tanë në Kampionatin Evropian Novi Sad 2018, shkaku i mos lejimit nga shtetit serb – njofton KOK-u.

Në bazë të kriterit të universalitetit ftesa në adresë të KOK-ut ka ardhur javë më parë edhe për boksieren Donjeta Sadiku dhe pingpongistin Fatih Karabaxhaku.

Krahas tri ftesave, KOK-u është në pritje të marrjes së konfirmimit edhe për xhudistët, të cilët pritet të kualifikohen me pesë norma.

Pikërisht në xhudo, Kosova numëron një medalje të bronztë me Nora Gjakovën në Lojërat e para Evropiane Baku 2015. ‘Minsk 2019’ janë Lojërat e dyta Evropiane, në të cilat Kosova synon edhe medaljen e artë.

(Foto: noc-kosovo.org)