Ekipi i Kosovës në karate do të kërkojë medalje në Kampionatin Evropian të karatesë, që prej nesër (19 maj) deri më 24 maj do të mbahet në Poreç të Kroacisë.
14 karateistë, të prirë edhe nga tre garuesit që po e kërkojnë normën olimpike Tokio 2020, Herolind Nishevci, Elhami Shabani e Fortesa Orana, do të synojnë të ngjiten në podium dhe njëkohësisht të fitojnë pikë të reja olimpike.
Evropiani i paraprinë garës kryesore për kualifikim në Lojërat Olimpike Tokio 2020, që në muajin e ardhshëm mbahet në Paris të Francës.
Optimist për medalje është shprehur edhe përzgjedhësi, Isak Curri.
“Presim paraqitje të mirë dhe të mundshme edhe për fitimin e tri apo më shumë medaljeve nga ekipi i seniorëve të vjetër ose më me përvojë, si E. Shabani, Nishevci dhe Orana. Po ashtu, presim një paraqitje të mirë nga medalistët Evropianë U21, Albulena Gërvalla dhe Benjamini Shabani”, tha Curri për Komitetin Olimpik të Kosovës.
“I tërë ekipi gëzon formë të mirë dhe kjo na bënë optimist edhe për suksese në ekipore në kumite”, shtoi ai.
Para Evropianit për disa javë ekipi ishte përgatitur në Bogë të Rugovës.
Në Poreç, drejtësinë do ta ndajnë edhe gjyqtarët ndërkombëtarë: Ardian Muhadri, Besart Vitia, Fidan Qorolli dhe Ali Vokshi.
Kampionatin nga afër do ta ndjekë edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, njëherit kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, si dhe këshilltari i tij, Besim Aliti.
Presidenti Krasniqi ka marrë pjesë edhe në Kongresin e Federatës Evropiane të Karatesë.
Iu urojmë fat dhe suksese ekipit tonë në rrugën drejt medaljeve.
Lista e sportistëve dhe trajnerëve tanë për Kampionatin Evropian “Poreç 2021”
1. Albinot Selmani (-60 kg)
2. Yll Cenaj (-67 kg)
3. Elhami Shabani (-75Kg).
4. Benjamin Shabani (-84kg).
5. Herolind Nishevci (+84 kg).
6. Argjend Berjani (kata)
7. Valdrin Rashiti (ekipore)
8. Hatiqe Zejnullahu (-50 kg)
9. Albulena Gervalla (-55 kg)
10. Adelina Rama (-61kg)
11. Diellza Sedijaj (-68 kg)
12. Fortesa Orana (+68 kg)
13. Festina Curri (ekipore).
14. Vlerona Shala (kata)
15. Xhevdet Smajli (para karate) dhe trajneri personal Nysret Salihaj.
Trajnerë:
Rexhep Bajrami (kumite)
Leotrim Pepaj (kumite)
Ismajl Fazliu (kata)
Ylber Syla, përzgjedhës
Isak Curri, përzgjedhës