Karakteristikë e veçantë për ekonominë e Kosovës është çështja e financimit të ekonomisë. Pjesa kryesore e financimeve mbulohet nga Dërgesat e emigrantëve kosovarë. Emigrimi ka filluar qysh herët, numri më i lartë i emigrimit ishte gjatë viteve 1990-ta, si rezultat i represionit dhe luftës.
Nga hulumtimet e bëra afër 70% e emigrantëve i takojnë viteve 1990-1999. Shumica e emigrantëve Kosovarë jetojnë në Gjermani, Zvicër dhe Itali. Dërgesat e emigrantëve në Kosovë përbëjnë 14% të PBB-së dhe tejkalojnë në mënyrë të konsiderueshme nivelin e Investimeve të huaja direkte në baza vjetore gjatë gjithë viteve.
Gjatë vitit 2009 dërgesat e emigrantëve arritën 505 milion euro (rënie vjetore për 5.5%). Dërgesat e emigrantëve shënuan rënie si rezultat i rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara, ndërsa pas krizës së vitit 2009 dërgesat e emigrantëve prapë vazhduan me trend pozitiv të rritjes.
Këto dërgesa të emigrantëve më së shumti po përdoren për të financuar konsumin në vend, por nevoja është që këto mjete me i orientuar prej sektorit të konsumit kah sektori i prodhimit sepse pjesë e vogël e dërgesave të emigrantëve përdoren për financim të investimeve.
Proporcion i vogël i këtyre dërgesave përdoret për të financuar:
Riparime shtëpiake,
Edukimin,
Shpenzime shëndetësore
Kriza financiare e vitit 2009 ndikoi në rënien e dërgesave të emigrantëve dhe kjo tregon për një ndjeshmëri të lartë që ka Kosova nga niveli i dërgesave të emigrantëve. Implikimet nga dërgesat e emigrantëve më të ulëta u reflektuan edhe në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik duke shkaktuar ngadalësim të rritjes ekonomike.
Dërgesat e emigrantëve kanë efekt negativ në tregti, sepse:
Rrisin koston e fuqisë punëtore,
Dëmtojnë konkurrueshmërinë e mallrave vendore si dhe
Inkurajojnë Importet
Remitencat vazhdojnë të mbesin ndër faktori tepër me rëndësi i dinamizimit të aktivitetit ekonomik në Kosovë.
Potenciali i emigrantëve për investime dhe dërgesa duhet të adresohet. Investimet gjithashtu do të ishin sinjal i rëndësishëm për Investimet e Huaja Direkte. Shumë vende kanë ndërmarrë politika që do të tërheqin më shumë investime dhe dërgesa nga emigrantët.
Politika të dizajnuara për emigrantë përfshijnë:
Blerje të tokës në vende më të preferuara për investime dhe banim
Shërbime këshilluese për startim të bizneseve,
Lehtësimi i procedurave për bërje të biznesit
Lehtësime fiskale për periudha më afatgjata (p.sh. Deri në 10 vite) etj.
Kështu që kategoria e lartcekur paraqet pikën kyçe jo vetëm të zhvillimit ekonomik por edhe të mundësisë së reflektimit të krizave nga jashtë gjë që u vërtetua edhe me rastin e krizës së fundit globale financiare.