Kapiteni i Vëllaznimit, Albutrint Morina, ka folur pas ndeshjes së ndërprerë ndaj Flamurtarit.
Ai thotë që gjithçka ka qenë korrekte deri në momentin e golit të gjakovarëve.
Ndeshja ishte 1-0 për Flamurtarin deri në çastet e fundit, kur portieri i gjakovarëve Altik Muhaxhiri lëshoi portën dhe arriti të shënojë për ta barazuar rezultatin.
Pas kësaj tifozët vendas u futën në fushë dhe sulmuan lojtarët mysafir.
“Gjithçka ka qenë normale deri te goli i barazimit. Pastaj tifozët janë futur në fushë dhe na kanë sulmuar”.
“Semir Zeneli, Jeton Dushi dhe Granit Osmanollaj kanë pasur dëmtime më të rënda”.
“Momentalisht jemi të sigurt. Tani situata është qetësuar”, ka thënë ai për GazetaOlle.com
Federata e Futbollit të Kosovës e ka regjistruar si të ndërprerë ndeshjen Flamurtari-Vëllaznimi. Kjo shihet në tabelën pas përfundimit të sfidave. Në tabelë, Flamurtari dhe Vëllaznimi kanë nga 10 ndeshje.
Pra, takimi i sotëm nuk është regjistruar si i përfunduar nga gjyqtari.