Site icon Telegrafi

Kampion lind, apo bëhesh?

"Nga pikëpamja biologjike, talenti është pjesërisht i parapërcaktuar. Njeriu lind me një strukturë skeletore, muskulore, nervore, me një metabolizëm energjik dhe forcë kardiake të trashëguar nga prindërit. Për shembull, kampioni i çiklizmit, Lance Armstrong, ka një zemër më të madhe në krahasim me atletët e tjerë të të njëjtit nivel. Kështu, atletët e vrapimit të shpejtë kanë më shumë fibra muskulore të tipit shpejtësi", shpjegon një kërkues amerikan dhe drejtor i laboratorit të muskujve e qelizave staminale në Kaliforni.

Pra, të dëgjosh shkencëtarin amerikan, vlen më shumë lodhja në natyrë se ajo në palestër. Por nuk ka dyshim që vetë natyra nuk mund të bëjë një kampion. "Karakteristikat njerëzore janë fryt i bashkëveprimit mes gjeneve dhe ambientit, ndërsa stërvitja i lejon një sportisti të shprehë të gjitha fuqitë e tij. Megjithatë, shkencëtarët po fillojnë t‘i veçojnë gjenet e përfshira në aftësitë atletike, të përdorura për të kuptuar mekanizmat molekulare në bazë të punës. Kohët e fundit është zbuluar një mutacion gjenetik që përcakton një rritje të masës muskulore. Tashmë, shkencëtarët kanë filluar të studiojnë molekulat që janë të afta të ndikojnë në aktivitetin e gjenit për të kuruar disa patologji muskulore", pohon një nga kërkuesit.

Sot janë zbuluar 187 gjene të bashkuara me performancën fizike, ashtu siç tregon edhe studimi i fundit i publikuar në "Medicine and Science in Sports and Exercise", realizuar nga një grup kërkuesish nga Houston, Maryland, Kanada dhe Gjermani. Mes këtyre 187 gjeneve, kërkuesit i atribuojnë një rëndësi të madhe të ashtuquajturit "gjenit të shpejtësisë" që kodifikon një proteinë specifike për fibrat muskulore të shpejta. Këtë gjen e kanë zbuluar disa kërkues të një shoqërie australiane nga Universiteti i Sidneyt, "Genetich Technologies Limited". Ajo ka paraqitur një ("Sports-Gene Test") që mbart në vetvete një gjen të këtillë dhe e ka vënë në shitje në palestrat australiane dhe internet.

Sigurisht, është diçka kurioze dhe dëfryese, por nuk është e pëlqyeshme ashtu siç nuk pëlqehen shumë iniciativa të këtij lloji. Kundër kësaj iniciative ka qenë edhe Shoqata Britanike e Sportit dhe Shkencës së Ushtrimeve, e cila e dënon përdorimin e pavend të këtyre testeve, aktuale apo të së ardhshmes, në një dokument të sapopublikuar.

"Ndryshimet ndërpersonale të lidhura me sportin dhe ushtrimet kanë baza të forta gjenetike dhe janë pjesërisht të trashëgueshme. Kërkimi është nxitur për të parandaluar patologjitë, ndonjë herë vdekjeprurëse, te sportistët dhe për të luftuar dopingun gjenetik. Por ajo çka dënohet vërtet është hedhja në treg e një testi të tillë për të seleksionuar atletët e ardhshëm", shpjegon një nga autorët e dokumentit.

Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se, pa fyer askënd, kampionët lindin edhe pse "nuk janë testet gjenetike ato që e parashikojnë. Talenti sportiv është një përzierje mes shumë faktorëve dhe atletëve, nga profesionistët tek amatorët, që mund të arrijë nivele performance të jashtëzakonshme me një stërvitje specifike", thekson drejtori i Institutit të Shkencës së Sportit.

Ka persona, të cilët i trajnojnë atletët në bazë të "një formule stërvitore": "Niset që nga përzgjedhja e karakteristikave antropometrike të atletit, si gjatësia, pesha dhe mosha në bazë të aktivitetit sportiv", shpjegon drejtori i institutit. Më pas merren në konsideratë faktorët e prirjes, si parapërgatitja mendore ndaj garës që e bën atletin të motivuar, të përqendruar e të çlodhur në këtë të fundit. Por jo të gjithë zotërojnë diçka të tillë. Më shumë se sa frika e humbjes, ajo që përmbys një rezultat sportiv mund të jetë frika e fitores, e thënë ndryshe në gjuhën mjeko-sportive "nikefobia" ose ankthi që godet edhe sportistët e nivelit të lartë kur janë pranë fitores", vazhdon më tej eksperti.

Përbërësit psikologjikë dhe konteksti social, janë ato që ndikojnë në rritjen e disa aftësive të rëndësishme atletike. "Zhvillimet psiko-motore në fëmijëri ndikohen nga sistemi nervor, por edhe nga ambienti, veçanërisht nga aspektet sociale, kulturore, edukative, elemente këto të barasvlershme apo më të rëndësishme sesa stërvitja fizike. Gjithashtu në zhvillimin e një kampioni të fuqishëm ndikon edhe ambienti familjar e ai shkollor", vazhdon më tej ai.

E rëndësishme është edhe zona gjeografike ku lind, e cila është "kampione" ose e specializuar për zhvillimin e një sporti të vetëm, ndërsa pjesa tjetër plotësohet nga stërvitja. Trajneri ka detyrën të monitorojë e të korrigjojë marrëdhënien e atletit kundrejt stimujve dhe stresit të stërvitjes për të përmirësuar fuqinë muskulore dhe metabolike. Në të vërtetë, organizmi pasi ka pësuar një stres fizik, shkon kundër përshtatjes dhe një ekuilibri të ri.

Është trajneri ai që kujdeset për të arritur një tjetër përshtatje, ndaj synon gjithmonë në përgatitjen më të madhe me objektivin e vetëm për të fituar. Është për t‘u evituar këshilla e ekspertëve, sipas së cilës duhet të stërvitesh shumë më shumë mbi normën e lejuar, sepse një gjendje e tillë mund të ndikojë në një paraqitje të dobët të kampionit.

Që këtej vlen të theksohet se koha e rikuperimit s‘duhet të jetë në proporcion të drejtë me lodhjen. Në fund të gjithë kësaj qëndron edhe aftësia për të ndjekur mirë "veprimin teknik". Këtu mund të përmendim notin ku vendosen përherë rekorde të reja dhe është e vështirë të besosh se e gjithë kjo është meritë e rritjes së fuqisë muskulore të atletëve. Por në të vërtetë është studimi i vazhdueshëm dhe rritja e lëvizjeve të trupit në ujë ato që përmirësohen me kohën.

"Ndërtimi" shkencor i atletëve të olimpiadave plotësohet me përdorimin e mjeteve mekanike dhe elektronike për të monitoruar stërvitjen, korrigjimin e veseve, defekteve e përmirësimin e veprimeve teknike.

Analizimi i hollësishëm i tyre është një mjet shumë i mirë për të ndihmuar trajnerët. "Të gjithë mund të kthehen në atletë të një niveli të lartë, por zakonisht që fëmijë duket nëse ke apo jo talent për t‘u bërë i tillë. Talenti në futboll është diçka e lindur dhe ka fëmijë që dhjetë vjeç mund të bëjnë me topin ato që bën një kampion i madh", thotë drejtori teknik i skuadrës së futbollit të Romës me një përvojë të gjatë si trajner i të rinjve.

Megjithatë, nëse je kampion apo jo mund të dallohet pas moshës 13 vjeç, moshë kur maturohen edhe përbërësit bazë si: lëvizja me lehtësi, driblimi, gjuajtjet në portë dhe mbajtja e topit. Po ashtu që adoleshent vërehet nëse ke një fizik të përshtatshëm apo jo për futbollin. Por duhet pasur kujdes edhe ndaj shumë gjërave të tjera theksojnë ekspertët.

"Për t‘u bërë një kampion, rruga është e gjatë dhe perfeksioni arrihet pak nga pak. Duhet një teknikë e përkryer stërvitjeje, në fushë dhe në palestër. Gjithashtu duhet qëndrueshmëri, vullnet, ambicie, respekt dhe shpirt sakrifice. Janë të shumtë të rinjtë 15 apo 16-vjeçar që kanë talent, por nuk kanë durim ta zhvillojnë atë. Por këto dy gjëra pa njëra tjetrën nuk mund të bëhen".

Stërvitja nis në moshë të vogël

Gjashtëdhjetë për qind e fëmijëve të vegjël, që frekuentojnë shkollën fillore janë në gjendje të kryejnë detyra të ndryshme si: të luajnë futboll, të vrapojnë, të kërcejnë etj.

Para moshës 6 vjeç fëmijët nuk janë në gjendje të përballin aftësitë e tyre me ato të fëmijëve të tjerë, të paktën derisa ata të mbushin 9 vjeç, moshë e cila kupton edhe natyrën konkurruese të një sporti.

Në moshën 12-vjeçare, pjesa më e madhe e tyre e kupton plotësisht detyrën e një aktiviteti të caktuar. Në këtë mënyrë ka arritur, në shkallën fizike dhe psikike, pjekurinë për të qenë pjesëmarrës në sportin e preferuar.

Ushqimi dhe stërvitja

Rreth 70% e evropianëve që praktikojnë një lloj sporti stërviten në mënyrë të gabuar dhe nuk janë shumë aspak të kujdesshëm në mënyrën e të ushqyerit gjatë aktivitetit sportiv.

Kjo gjë është vërejtur nga studimi i Federatës Mjekësore Sportive, te 33 mijë sportistë prej 6 vitesh e më tej. "Pjesa më e madhe e sportistëve stërvitet më pak se sa është e rekomandueshme. Frekuenca e stërvitjeve javore është rreth dy herë në javë, me kohëzgjatje deri në tri ose katër orë dhe me një intensitet më të lartë. Të gjithë sportistët hanë shumë pak, me orare të aftra me njëri-tjetrin ose shumë të largëta nga praktika sportive edhe në rast gare", shpjegon një nga përgjegjësit e federatës, i cili ka kryer edhe studimin në fjalë.

Studimi tregon se për të parën herë, kritikat e popullatës që zhvillon aktivitete motore. E duke qenë se sistemi i jetës dhe impenjimet shoqërore janë fikse dhe është e pamundur t‘i ndërrosh, është i nevojshëm adaptimi i një ore të përcaktuar për të ngrënë vaktet.

"Zakonisht, sportistët e rinj hanë shumë në drekë dhe stërviten pasdite, kjo në harkun kohor më pak se një ore pas dreke. Ndërkohë që dreka kryesore mund të ndahet në tri faza", nënvizon ai.

Ndërsa të rriturit stërviten në darkë, para ngrënies. "Nëse stërvitja është e lehtë edhe ushqimi përshtatet me orarin e stërvitjes. Për sportet intensive si: tenisi, çiklizmi, vrapimi, apo peshëngritja, është e këshillueshme që të mos darkoni menjëherë pas stërvitjes, por të prisni disa orë. Gjatë pritjes mund të pihet ndonjë filxhan çaj shoqëruar me biskota", përfundon ai. /ndryshe-shqip/

Exit mobile version