Telegrafi

Kamioni me zhavorr tenton të kalojë binarët në qytetin serb, e godet treni që lëvizte me shpejtësi – lëndohen dy persona

Dy persona janë lënduar kur një kamion u godit nga treni derisa po kalonte binarët në rrugën mes qyteteve serbe Paraqin dhe Jagodinë.

“Serbia kargo” ka paralajmëruar se shoferët duhet të respektojnë shenjat e komunikacionit, kurse shoferi dhe bashkudhëtari që ishin në kamion janë dërguar me urgjencë në spital për tretman, nga ku është konstatuar se nuk kanë pësuar lëndime të rënda.

Aksidentin e frikshëm e ka filmuar kamera e sigurisë, ku shihet se derisa kamioni tenton të kalojë binarët, goditet nga treni që lëvizte me shpejtësi duke e dëmtuar kamionin pothuajse plotësisht.

Kamioni që dukej se transportonte zhavorr, goditet aq shumë sa që vagoni i parë i trenit që e godet del nga binarët, transmeton Telegrafi.

Autoritetet kompetente në Serbi kanë bërë të ditur se po hetojnë rastin për të përcaktuar se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur. /Telegrafi/