Site icon Telegrafi

Kamberi: Koha do t’i konfirmojë temat e fjalimit tim në Kuvendin e Serbisë

Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë nga lista “Alternativa Demokratike e Shqiptarëve – Lugina e Bashkuar” (DAAUD), thotë se ai nuk ka pritur se do të ketë reagime me nervozë nga udhëheqja e shtetit ndaj deklaratave të tij lidhur me krimet e luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kamberi vlerësoi që është normë minimale e civilizimit që shteti të ketë detyrim moral dhe politik, që në procesin e integrimeve evropiane, të hedhë dritë mbi rastet e varrezave masive dhe që ndaj kësaj çështjeje të mbajë qëndrim të civilizuar.

Fjalimi i tij në Kuvendin e Serbisë nxiti një numër të madh reagimesh në opinion dhe në rrjetet sociale. Gjatë këtij fjalimi ai theksoi që një parlament të tillë nuk ka mundur ta prodhojë as Sllobodan Millosheviqi dhe vlerësoi se kjo është e trishtueshme për demokracinë.

Siç tha ai fjalimin e tij e nisi me fjalët: “Mirëdita, dobar dan!”, në mënyrë që ta përkujtojë kryeministren serbe, Ana Brnabiq për kërcënimet e të djathtëve ndaj organizatorëve të festivalit me të njëjtin sllogan, si dhe që në këtë mënyrë t’i ofrojë mbështetje festivalit.

Në fjalimin e tij, Kamberi ka bërë thirrje për ballafaqim me krimet e luftës dhe gjatë fjalimit ai është paralajmëruar që të mos përdorë fjalor të tillë, i cili, siç ka thënë kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, “nuk është për shembull”.

“Unë këto ditë, në Bujanoc kam biseduar me shumë serbë, të cilët e mbështesin fjalimin tim. Pra, fare nuk është problemi vetëm te shqiptarët. Unë kam thënë – problemi është që ky shtet po përpiqet të reduktohet në shërbim të vetëm një misioni, një partie dhe atyre që i përkasin një partie”, theksoi Kamberi në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, qëndrimi ndaj pakicave është një provë e lakmusit të demokracisë dhe demokracisë së një shteti, por barra dhe detyrimi i demokratizimit dhe decentralizimit të Serbisë, siç theksoi Kamberi, i përkasin popullit shumicë dhe partive të popullit shumicë, të cilat duhet të nxjerrin në pah procesin e demokratizimit të Serbisë, harmonizimin e legjislacionit, standardeve dhe mendimit të lirë, me standardet e Bashkimit Evropian.

“Para së gjithash, unë nuk jam kurrfarë heroi. Jam vetëm një njeri që është zgjedhur që të përfaqësojë interesat e të gjithë njerëzve, të cilët të ardhmen e Ballkanit e shohin në integrimet evropiane”, tha Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se nuk është i interesuar që të jetë ministër në qeverinë, betimi i së cilës përfundon me fjalët: “do të përkushtohem për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

“Kjo është e papajtueshme me logjikën tonë dhe me qëllimet tona politike dhe në asnjë rast, as unë personalisht dhe asnjë shqiptar, nuk do ta pranonte atë pozitë”, theksoi Kamberi.

A keni pritur që fjalimi i juaj drejtuar kuvendit do të kishte kaq shumë jehonë në opinion, para së gjithash, te përfaqësuesit më të lartë të shtetit?

Shaip Kamberi: Kam pritur reagime më të ashpra të deputetëve. Ashtu ishte me rastin e zgjedhjes së Ivica Daçiqit për kryetar të kuvendit, kur thash që nuk do të votoj për dikë që ka lidhje me krimet e luftës dhe më pas reaguan kolegët deputetë. Por, nuk kam pritur reagime me kaq nervozizëm të gjithë kreut shtetëror ndaj konstatimeve të mia të vërteta për krimet e luftës. Kam thënë që është normë minimale e qytetërimit që në rast se varrezat ekzistojnë, shteti ka obligim moral dhe politik që në procesin e integrimeve evropiane, të hedhë dritë mbi këtë dhe që ndaj kësaj çështjeje të marrë qëndrim të qytetëruar. Megjithatë, e vërteta dhemb dhe është e dukshme që në pushtet janë ato parti, të cilat janë në lidhje të drejtpërdrejtë me partitë që i kanë nisur luftërat në ish-Jugosllavi.

Nuk ka dialog për krimet

Kryeministrja Ana Brnabiq, duke reaguar ndaj fjalimit tuaj, ka thënë që nuk jeni njeri i dialogut dhe ju ka ftuar që, pasi që tashmë po flisni për krimet, të flisni edhe për krimin në Shtëpinë e Verdhë dhe theksoi që kjo është mënyrë për dialogun dhe besimin që u nevojitet të gjithëve. Si i shihni ju këto fjalë të saj?

Shaip Kamberi: Krimi është krim dhe kudo që ai ndodh duhet të dënohet. Në vendin zyrtar, si përfaqësues zyrtar i shqiptarëve, unë kam kërkuar nga përfaqësuesi zyrtar i Republikës së Serbisë që të shqyrtojë krimet, të cilat gjenden në territorin që është nën kompetencën e saj. Zonja Bërnabiq dhe zotëri Vuçiqi kanë dialog dhe bashkëpunim me kryeministrin e Shqipërisë, si dhe bisedojnë edhe me përfaqësuesit e Kosovës, prandaj këto tema duhet t’ua hapin atyre. Thjesht, kam kërkuar nga zonja Bërnabiq që të kujdeset për oborrin e vet, që të argumentojë se ka apo ndoshta nuk ka varreza masive. Por, mënyra se si është pritur fjalimi im, tregon qartë se ka përpjekje që diçka të mbulohet.

Në krime nuk ka reciprocitet sipas sistemit – ndriçojini ju krimet e juaja e pastaj ne do t’i ndriçojmë tonat. Në asnjë mënyrë nuk mund të barazohet ajo që në emër të Republikës së Serbisë dhe në emër të popullit serb, ka bërë në Kosovë regjimi i Millosheviqit. Politika shtetërore ka dashur që të shkatërrojë një komb. Kjo ka qenë strategjia e udhëheqjes më të lartë të shtetit dhe për këtë janë dënuar me aktvendime të gjykatës ndërkombëtare.

Paraqitja e juaj në Kuvendin e Serbisë i ka ndezur rrjetet sociale, në të cilat ju kanë ofenduar dhe sulmuar mbi baza të ndryshme dhe ju kanë akuzuar për tradhti të lartë. Si kanë ndikuar te ju reagimet e tilla?

Shaip Kamberi: Unë jam kryetar i një partie, e cila 30 vjet vepron në Luginën e Preshevës dhe e cila për 30 vjet lufton me mjete institucionale për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Ka pasur sulme tash, ka pasur edhe më herët dhe do të ketë sulme edhe në të ardhmen, por orientimi im politik, angazhimi im në Kuvendin Popullor nuk do të varet nga ajo se çfarë do të shkruajnë botët në rrjetet sociale. Do të sillem me respekt ndaj të gjithë zgjedhësve që më kanë dhënë votën dhe të cilët presin nga unë që të përfaqësoj atë për të cilën më kanë zgjedhur dhe kështu do të veproj. Secili e ka mendimin e tij për atë se çka dhe si punoj, por besoj që koha do të dëshmojë temat të cilat i kam iniciuar në kuvend.

“Nuk jam hero”

Në anën tjetër, përmes rrjeteve sociale kanë arritur edhe një numër lëvdatash, urimesh dhe mbështetje e shprehur, para së gjithash nga sektori joqeveritar, por edhe nga personalitetet publike dhe qytetarët, të cilët ju kanë shpallur hero të mendimit të lirë dhe lider të opozitës serbe.

Shaip Kamberi: Para së gjithash, unë nuk jam kurrfarë heroi. Unë jam vetëm një njeri që është zgjedhur që të përfaqësoj interesat e të gjithë njerëzve që të ardhmen e Ballkanit e shohin në integrimet evropiane. Natyrisht që më vjen mirë kur një (drejtoresha e dikurshme e Fondit për të Drejtën Humanitare) Natasha Kandiq, (kryetarja e Komitetit të Komitetit të Helsinkut për të drejta të njeriut) Sonja Biserko, (sociologia dhe politikanja) Vesna Peshiq…, dhe të mos përmend shumë të tjerë që aq fuqishëm e mbështesin dhe lavdërojnë fjalimin tim. Unë do të vazhdoj që t’i përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve që të ardhmen e Serbisë e shohin në integrimet evropiane, por unë i takoj një partie të vogël, e cila vepron vetëm në tre komuna.

Sjellja ndaj pakicave është një lakmus demokracie dhe i demokracisë së një shteti, por barra dhe obligimi për demokratizimin dhe decentralizimin e Serbisë i takojnë popullit shumicë dhe partive të popullit shumicë, të cilët duhet të nxjerrin në pah procesin e demokratizimit të Serbisë, harmonizimin e legjislacionit të saj, të standardeve dhe në përgjithësi të menduarit të lirë me standardet e Bashkimit Evropian.

Betimi parlamentar i kontestuar

Fjalimin tuaj e filluat me “Mirëdita, dobar dan!”, gjë që kritikuesit e kanë parë si provokim. A është “Mirëdita” diçka më shumë sesa një përshëndetje në gjuhën shqipe?

Shaip Kamberi: Së pari, dua të them që mendimin tim, për të cilin mendoj që është i drejtë, do ta them pa marrë parasysh nëse dikush do ta përjetojë si provokim. Ne jemi mësuar me paragjykimet se shqiptarët provokojnë kur i ngrisin dy duart në formën e shqiponjës, në qoftë se luajnë futboll në Beograd dhe japin gol, në qoftë se luajnë më mirë se Serbia dhe edhe atëherë janë provokues.

Këto janë stereotipa të zakonshme që ekzistojnë, në lidhje me shqiptarët, në një pjesë të shoqërisë serbe. Përshëndetja “Mirëdita, dobar dan!” ka qenë përkujtim i imi ndaj të pranishmëve për manifestimin kulturor me të njëjtin emërtim, i cili u zhvillua me mjaft probleme, disa qindra metra larg nga parlamenti.

Aty, kordonëve të policisë u ishte dashur që të mbronin pjesëmarrësit e ekspozitës nga Serbia dhe Kosova nga sulmet e grupeve të krahut të djathtë, tifozëve, huliganëve ose nuk e di nga kush tjetër. Pata dëshirë që në atë mënyrë t’ia përkujtoj Ana Bërnabiqit ato ngjarje dhe t’i jap mbështetje atij manifestimi.

Ajo çfarë duhet të dijë opinioni në Serbi, sipas rregullores së punës së Kuvendit të Serbisë, unë mund ta mbaj të gjithë fjalimin në gjuhën shqipe, sepse kam të drejtë për këtë dhe me siguri se do ta shfrytëzoj këtë të drejtë në ndonjë rast. Por, unë dëshiroj që t’iu drejtohem në gjuhën serbe, në mënyrë që të më kuptojnë të gjithë qytetarët, sepse po të kisha folur në gjuhën shqipe, atëherë, praktikisht, përkthyesi do t’i drejtohej publikut.

Pasi që prekëm çështjen e përdorimit të gjuhës, a e keni thënë betimin parlamentar?

Shaip Kamberi: E kam thënë ashtu siç e ka lexuar kryesuesja, sepse ajo e vë në plan të parë detyrën e deputetit që të mbrojë “të drejtat njerëzore dhe të pakicave, si dhe liritë qytetare dhe me diturinë dhe aftësinë më të mirë i shërben qytetarëve të Serbisë, të vërtetës dhe të drejtës”. Unë, si njeri, si politikan dhe si deputet, jam i përkushtuar për ato ideale.

Nuk kam kurrfarë kërkese personale – as ndaj presidentit Alleksandar Vuçiq e as ndaj kryeministres, Ana Bërnabiq. Unë fare nuk jam i interesuar dhe besoj që asnjë shqiptar nuk është i interesuar, që të jem ministër në Qeverinë e Serbisë, betimi i së cilës përfundon me fjalët “do të përkushtohem për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”. Kjo është e papajtueshme me logjikën tonë politike dhe qëllimet tona politike, dhe në asnjë rast unë personalisht ose ndonjë prej shqiptarëve nuk do ta pranonte atë post.

Serbia – prej Horgoshit deri në Preshevë

Pas këtij fillimi të ashpër në kuvend, a do të vazhdoni të shtroni pyetje të papërshtatshme për pushtetin? Çfarë do të jetë në fokusin tuaj?

Shaip Kamberi: Natyrisht, varësisht nga temat që do të paraqiten në Kuvendin Popullor, do të shpërfaq qëndrimet e mia dhe qëndrimet e grupit tim parlamentar, të cilin do ta përfaqësojmë. Çështja e pakicave është një nga çështjet kyçe, si dhe mënyra e trajtimit të pakicave. Ky është shembulli më i mirë i demokracisë së një shoqërie dhe ne do të përpiqemi që këtë temë ta mbajmë në rend të ditës vazhdimisht.

Por, në Serbi ekzistojnë probleme të mëdha, për shkak të së cilave numri i qytetarëve të pakënaqur është gjithnjë e më i madh. Unë këto ditë kam folur me shumë serbë në Bujanoc, të cilët e mbështesin fjalimin tim. Pra, fare nuk është problemi vetëm me shqiptarët. Unë e thash, problemi është që ky shtet po përpiqet të reduktohet në shërbim të vetëm një misioni, një partie dhe atyre që i përkasin një partie.

Ju i dëgjoni akuzat në llogarinë time, se serbët, në fakt, Partinë Progresiste Serbe (SNS), i kam lënë jashtë pushtetit lokal në Bujanoc. Partia ime i ka humbur zgjedhjet në nivel lokal, si dhe vendin e kryetarit të komunës. Po, ajo edhe më tutje angazhohet për respektimin e parimeve të multietnicitetit në komunat tona, të cilat u krijuan në zgjedhjet e vitit 2020. Por, ky parim duhet të jetë universal dhe presidenti i shtetit është pikërisht ai që është i obliguar që të angazhohet që ky parim të jetë universal. Dua të them se nuk mund të kërkohet përfshirja vetëm e serbëve në vetëqeverisjen lokale në Bujanoc dhe vetëm nga radhët e Partisë Progresiste Serbe, sepse në Bujanoc ekziston edhe opsioni tjetër, i cili nuk është në raporte të mira me qendrën e Partisë Progresiste Serbe, ndërkaq që harrohet çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në vetëqeverisjen lokale në Medvegjë.

Atje kanë mbetur 500 deri 600 shqiptarë që kanë tre vende në kuvendin komunal, por nuk ka pasur tolerancë dhe vullnet të mirë që edhe ata të marrin çfarëdo roli në pushtet, që edhe ata ta shohin veten si pjesë të vetëqeverisjes lokale në të cilën jetojnë. Pra, problemi është se ekziston një përpjekje për të zbatuar në mënyrë selektive disa parime dhe vetëm kur i përshtatet SNS-së dhe atyre që janë me të.

Presidenti Vuçiq ka qenë dy herë në Bujanoc, një herë sa ishte kryeministër, një herë si president i këtij shteti dhe nuk e vizitoi asnjëherë vetëqeverisjen lokale. Ka pasur takim vetëm me njerëzit e SNS-së dhe atë në një kafiteri. Nuk i mblodhi serbët, nuk erdhi në vetëqeverisjen lokale që nga njerëzit kyç të dëgjojë për problemet me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj komune. Pra, fare nuk ka treguar interesim as për shqiptarët, as për romët, por as për serbët që nuk i takojnë SNS-së.

Unë nuk besoj që do të përmirësohet pozita e shqiptarëve në rast se një shqiptar bëhet ministër. Unë besoj që pozita e shqiptarëve do të përmirësohet atëherë ku shteti të vendosë për këtë, që në përputhje me numrin e banorëve në këto komuna të punësojë shqiptarët në institucionet shtetërore. Do të përmirësohet gjendja edhe në qoftë se shteti e sjell ndonjë investues në jug prej Vranjës. Shumë shpesh mund të dëgjohet presidenti Vuçiq se po i hap fabrikat prej Suboticës e deri në Vranjë, sikur kufiri të mos ishte pas Preshevës. Le ta sjellë ndonjë në Bujanoc, Preshevë, Medvegjë, Sjenicë, Tutin… dhe kështu të tregojë që vërtetë angazhohet për të gjithë qytetarët./rel/Telegrafi/

Exit mobile version