Telegrafi

Kamberi: Keqardhje që Bërnabiq nuk iu përgjigj ftesës time për të vizituar Batajnicën dhe familjet e të pagjeturve

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se ftesa e tij për kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, për të vizituar Batajnicën mbetet e hapur.

Kamberi përmes një postimi në Facebook ka thënë se i vjen keq që Bërnabiq nuk iu përgjigj ftesës së tij, por se ftesa qëndron e hapur, madje pas kësaj vizite ata do të mund të vizitonin edhe shoqatat e familjet e të pagjeturve shqiptarë, boshnjakë, serbë, romë e të tjerë.

“Keqardhje që Kryeministrja znj.Ana Bërnabiq nuk iu përgjigj ftesës sime për ta vizituar Batajnicën. Por kurrë s’është vonë. Ftesa mbetet e hapur. Zonja Bërnabiq, pas Batajnicës vazhdojmë në shoqatat dhe familjet e të pagjeturve shqiptarë, boshnjak, serbë, romë etj”, shkruan Kamberi.

Lexo po ashtu Kamberi kërkon rrëzimin e Qeverisë së re të Serbisë

Ndryshe, Kamberi në fjalimin e tij me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, ka thënë se  Qeveria Bërnabiq1 nuk ndërmori asnjë veprim dhe vendim për t’i jetësuar tri marrëveshjet e firmosura nga qeveritë e Serbisë me të zgjedhurit e Luginës.

“Dalloni së paku ju nga shefat e juaj. Urdhëroni zonja Bërnabiq. Shihni me sytë e juaj Batajanicën, Peruçën, Petrovo Selon, Rudnicën. Staro Sajmishta dhe Jasenoci mund t’ju frymëzojnë. Dëgjoni me veshët e juaj mbiemrat Berisha, Duriqi, Bogujevci, Jashari etj”, kishte thënë ndër të tjera ai. /Telegrafi/