Dallimi mes ankthit social dhe ndrojtjes, sipas një psikologeje!
Ndoshta keni pritur gjithë karantinën dhe pandeminë për të krijuar marrëdhënie të vërteta sociale – përqafime, biseda pa maska etj. Megjithatë tani që ky moment ndoshta s’është dhe aq larg ndiheni pak në panik
Mund ta pyesni veten: A kam ankth social apo jam thjesht i ndrojtur pas një viti me ndërveprim të kufizuar njerëzor?
“Ndrojtja dhe të qenit introvert janë tipare të përsonalitetit”, thotë Aimee Daramus, psikologe klinike e licensuar.
“Njerëzit e ndrojtur kanë mendime të ngjashme me dikë me ankth social, por ata shpesh e pranojnë veten ashtu siç janë. Introvertët janë njerëz që lodhen duke u socializuar dhe duan kohë vetëm për të rimarrë energjinë. Ata nuk kanë frikë të socializohen, por e dinë që kjo i lodh.”
Nga ana tjetër, ankthi social është i i rrënjosur në një frikë se ju do gjykoheni apo do refuzoheni nga njerëzit, ose do të turpëroheni para të gjithëve, shkruan Well & Gooda.
Si ta dalloni nëse keni ankth social
Një njeri i ndrojtur mund të ndihet në siklet ose të ketë “frikë” të flasë në biseda dhe një introvert mund të dojë të iki nga festa më herët, por ata nuk zhvillojnë domosdoshmërisht një koncept negativ ndaj vetes.
Kur bëhet fjalë për ankth social, dr. Daramus thotë të shohim për simptoma fizike që përfshijnë:
– Ndjesi siklet/dhimbje në stomak
– Muskuj të tensionuar
– Duar dhe këmbë të ftohta
– Dhimbje koke
– Dhimbje në kraharor
– Një ndjesi paniku dhe pasigurie
Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme për këto simptoma fizike, por për momentin, lloji i mekanizmave të përballimit që lehtësojnë ankthin mund të ndihmojë. Bërja e frymëmarrjes me qëllim, për shembull, është një mënyrë domethënëse për të qetësuar sistemin nervor parasimpatik kur kalon në këtë gjendje paniku.
Por sigurisht, vetëm frymëmarrja nuk është çelësi për adresimin e çështjeve të ankthit. Ju mund të duhet të krijoni një arsenal të teknikave të përballimit që ju ndihmojnë të ndiheni të sigurt – dhe meqë ra fjala, nuk ka asgjë të keqe të përdorni tualetin për disa minuta për të mbledhur veten, citon Anabel.
Nëse jeni duke u përpjekur të merreni me ankthin social afatgjatë, jo vetëm tani gjatë pandemisë, ka praktika të tjera për t’u provuar. Për shembull, Dr. Daramus thekson se realiteti virtual është një trajtim për njerëzit që vuajnë nga ankthi serioz social – Ju mund ta vendosni dikë në një festë ose bisedë virtuale dhe t’i lini të praktikojnë aftësi sociale para se të kalojnë në jetën reale. Por mënyra më e mirë për t’u marrë me të vërtetë me ankthin social, është sigurisht, dalja e shpeshtë dhe socializimi.
“Ankthi social shpesh trajtohet me terapi ekspozimi, që do të thotë se ju do filloni me një sfidë të vogël, si një bisedë dy minutëshe, pastaj do kaloni në sfida më të mëdha sociale”, thotë Dr. Daramus. “Ju mësoni aftësi gjatë rrugës dhe i praktikoni ato.”
Nëse ankthi juaj social bëhet vërtet paralizues, duhet të flisni me një profesionist të shëndetit mendor/psikolog. /Telegrafi/