Site icon Telegrafi

Kalim dramatik i Ballkanit në finale të Kupës së Kosovës – Suhareka sa nuk shkaktoi befasi

Foto: FC Ballkani/ Facebook/Arkiv

Ballkani ka kaluar në finale të Kupës së Kosovës, pasi eliminoi Suharekën me rezultat të përgjithshëm 3-2.

Ndeshja e parë kishte përfunduar 1-0, ndërsa kampioni në fuqi realizoi edhe dy gola të tjerë në takimin e dytë por që pranuan po ashtu dy.

Pas vetëm dhjetë minutash lojë, Ballkani kaloi në epërsi me golin e Gentrit Halilit.

Suhareka krijoi rastin e parë në ndeshje në minutën e 23-të, por harkimit nga korneri nuk iu përgjigj askush.

Në minutën e 38-të, Ballkani rrezikoi portën e rivalit lokal, mirëpo as kjo gjuajtje nuk ishte e saktë.

Edvin Kuç (39’) bëri një goditje të mirë, por as ky nuk arriti të shënjestronte saktë portën.

Pjesa e dytë ishte sërish e dominuar nga vendasit, por që u befasuan në fund.

Në minutën e 73-të, Nazmi Gripshi vulosi ndeshjen me golin e dytë, për t’ia siguruar Ballkanit një kalim drithërues në finale.

Suhareka e vuri nën presion Ballkanin, pasi ua shënoi dy gola, pasi Fitim Susurit realizoi fillimisht në minutën e 81-të për 2-1, ndërsa dhjetë minuta më vonë e shënoi edhe të dytin për 2-2.

Mysafirët u eliminuan me kokën lartë, pasi nuk arritën që vetëm për një gol ta çonin ndeshjen në vazhdime.

Në finale, Ballkani do ta pres fituesin e duelit mes Dritës dhe Prishtinës, që ka shkuar në vazhdime, pasi nuk është shënuar asnjë gol. /Telegrafi/

Exit mobile version