Qyteti i Gjilanit ka një trashëgimi të pasur kulturore që përshin aktivitete kulturore që pasqyrojnë diversitetin dhe historinë e tij.
Një ndër trashëgimit kulturore në njërin nga fshatrat e Gjilanit është edhe Kalaja e Pogragjës
10 kilometra larg nga juglindja e Gjilanit, pozicionohet ky monument si një nga më të rëndësishmet historiko-kulturore të Kosovës, në një lartësi mbi detare prej 567 metra.
Kryetari i fshatit Pogragjë, Arton Fetahu në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se ky monument i takon shekullit të VI, por që dëshmi zyrtare ende nuk ka.
Ndër të tjera, Fetahu theksoi se nuk kanë pasur mbështetje nga ana e institucioneve, ku si rrjedhojë nuk është bërë asnjë hulumtim nga asnjë arkeolog.
“Për kalanë nga ana e institucioneve nuk është bërë asgjë, ende asnjë arkeolog nuk ka bërë hulumtime në atë pjesë”, ka theksuar ai.
Mirëpo, Fetahu thotë se pritjet e tyre janë që këtë vit të filloj një projekt nga Ministria e Kulturës, që të zbulohet e të ruhet edhe më shumë, si dhe të bëhet një destinacion turistik i Gjilanit.
Deri më tani, Fetahu thotë se ka pak vizitorë.
Pra, si një monument i vjetër që daton rreth shekullit të VII dhe si çdo monument i trojeve të ndryshëm, është e mbushur me histori e gojëdhëna të cilat i kanë mbijetuar kohës.
Në kala gjendet i ashtuquajturi “Guri i Qumështit”, i cili në popull njihet si gurë shërues. Përveç kësaj, nga gojëdhënat e trashëguara thuhet se brenda kalasë qëndrojnë muret e një qyteti që ekzistonte vite më parë.
Ndërsa, edhe fshati Pogragjë e ka marrë emrin sipas kësaj kalaje, e cila për nga ndërtimi ka mure të trasha prej gurëve.
Kalaja përbëhet nga komponentë, siç janë muri i parë dhe muri i dytë rrethues, tri kullat katërkëndëshe, vrojtuese dhe njëkohësisht të vendosura në murin e dytë rrethues dhe kulla qendrore.
Objekti më i ruajtur është kulla qendrore e cila ndodhet në pjesën më të ngritur të kodrës./Telegrafi/