Kai Havertz ka pasur vështirësi për t’u adaptuar tek Arsenali por ai ka shënuar edhe një herë tjetër për Gjermaninë, madje kësaj radhe duke luajtur si mbrojtës i majtë.
24-vjeçari nuk ka arritur të lë shenja të mëdha në sezonin debutues me Arsenalin, që kur ata e transfruan gjermanin nga rivalët e qytetit, Chelsea.
Ai ka shënuar vetëm një gol për klubin në 19 paraqitje, ani pse ka luajtur më shumë si mesfushor nën urdhrat e Mikel Artetas.Havertz e ka shpenzuar pjesën më të madhe të karrierës së tij tek Chelsea duke luajtur si sulmues, andaj ai tani duhet të adaptohet në një pozicion krejtësisht të ri te Arsenali.
Trajneri i Gjermanisë, Julian Naglesmann, bëri diçka të pazakontë mbrëmjen e së shtunës, duke e aktivizuar atë si mbrojtës i majtë ndaj Turqisë.
Duke folur paraprakisht, Naglesmann tha se “Kai nuk do të luajë gjithmonë në këtë pozicion”.
“Unë kam një ide të mrekullueshme, ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë. Ky është një opsion shumë i mirë. Ai nuk do të luajë gjithmonë si një mbrojtës i majtë klasik”, ka thënë Nagelsmann.
Pavarësisht këtij vendimi të trajnerit, Havertzit i mjaftuan vetëm pesë minuta për të gjetur rrugën e rrjetës në një miqësore luksi.
Ai shfrytëzoi për mrekulli pasimin e Leroy Sane, për të shënuar golin e tij të 14-të për kombëtaren e Gjermanisë./Telegrafi/