Telegrafi

Kafshimet nga insektet

Mr.Sc.Dr. Basri Lenjani M.D.
Specialist i Mjekësisë Emergjente
Drejtor i Qendrës Emergjente – QKUK

Fatmirësisht rastet e tilla janë mjaft të rralla dhe nuk paraqesin problem të rëndë mjekësor. Kafshimet nga insektet (arëzat, bletët, rriqrat) janë të rëndësishme për shkak se shkaktojnë reaksione alergjike të cilat e sensibilizojnë organizmin e njeriut.

Simptomat dhe shenjat
Te kafshimet nga insektet veprimet helmuese shoqërohen me dhimbje të kohëpaskohshme, me të ënjtur, letargji, me dhimbje koke, mundim me të vjella, dhimbje barku, ngritje e lartë e gjakut, nxehtësi, infeksione lokale, sistemike (ndonjëherë gjendje sepse), konvulsione, reaksione të lehta me urtikarie të gjeneralizuar, reaksione anafilaktoide. Rrezik potencial paraqet zhvillimi i reaksionit anafilaktik, nëse nuk mjekohet në mënyrë adekuate, shumë shpejt mund të jetë vdekjeprurëse.


Manifestimet alergjike nga kafshimet me insekte mund të paraqesin rrezik dhe për këtë shkak ndahen në disa grupe:

Forma lokale
Shoqërohet me eritemë të lëkurës, edemë, dhimbje apo djegie, por që nuk kërkon ndonjë mjekim të posaçëm, përveç të përdorimit të kompresave të ftohta, yndyrave antihistaminke, kortikozonikë, amoniak, alkool.

Forma sistemike
Shoqërohet me hipotension, dispne, bronkokonstrikcion, kolaps, edemë e fytyrës, buzëve, periorbitale. Në rastet e rënda këshillohet të përdoret amp. Adrenalinë (0.5 –1 mg me rrugë subkutane, intravenoze), oksigjenoterapi, bronkodilatatorë dhe në raste më rënda duhet të bëhet intubimi endotrakeal.

Kujdes: nëse fëmijën e kafshon bleta në gojë, ose në fytyrë mund të vijë deri te shfaqja e simptomave dhe shenjave të rrezikshme si: frymëzënia për shkak edemes laringale, ndërsa prognoza e sëmundjes mund të jetë fatale, ofrimi i ndihmës së parë është shumë emergjente.

Ndihma e parë

Qetësoni të aksidentuarin dhe vendoseni në pozitë të shtrirë.

Nëse bëhet fjalë për thumbim nga insekti, gjymtyrën e mobilizoni dhe e mbani në elevacion në nivel të zemrës.

Shpërlani me ujë dhe me sapun vendin e thumbuar nga insektet dhe vendosni kompresa të ftohta me qëllim të zvogëlimit të dhimbjeve.

Krijoni kushtet që pas stabilizimit të shenjave jetësore nën përkujdesje shëndetësore, të aksidentuarin ta dërgoni në spital për trajtim të mëtutjeshëm.

Nëse laikët ofrojnë ndihëm e parë te personi i thumbuar nga insektet, nuk preferohet largimi i insektit, sepse kjo duhet të bëhet vetëm në entet shëndetësore të specializuara.

Insekti mund të largohet nga trupi nga punëtori shëndetësor dhe për këtë qëllim duhet të përdoret një mjet insekticid spërkatës nga afërsia, derisa të mbytet insekti.

Largimi insektit bëhet ngadalë, me durim, duke e lagur vendin e kafshimit me pincë nga lëkura e personit të thumbuar, por duke pas kujdes që të mos mbetet asnjë pjesë e trupit të insektit.

 

/Telegrafi/