Telegrafi

Kaçaniku nënshkruan kontratë mbi 5.5 milion euro për ndërtimin e një fabrike të ujit të ambalazhuar

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë “ Royal Beverage L. L.C.”, që përfaqësohej nga Fejzulla Mustafa me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve afariste për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e ujit të ambalazhuar natyral, mineral në paketimin “PET”, qelqi dhe bidon në volum të ndryshëm duke filluar nga 0.25L deri 10L. Për ndërtimin e kësaj fabrike, komuna e Kaçanikut ia ka dhënë pronën komunale në shfrytëzim afatgjatë.

Gjatë nënshkrimit të kontratës, kryetari i Komunës së Kaçanikut Beisim Ilazi ka thënë se në këtë projekt do të investohen 5.5 milion euro.

“Përmes nënshkrimit të marrëveshjes për dhënien e pronës së paluajshme të komunës në shfrytëzim, synohet të rritet zhvillimi ekonomik përmes hapjes së fabrikave që sjellin edhe vende të reja të punës. Përmes këtij investimi parashihet që fillimisht të punësohen 30 persona, për të vazhduar më vonë me rritje të numrit të të punësuarve. Kjo fabrikë do të ndërtohet në zonën kadastrale në Doganaj”, ka thënë Ilazi, përcjellë zyra për informim në Komunën e Kaçanikut. /Telegrafi/.