Site icon Telegrafi

Kaçaniku krijon grupe të aktivizimit qytetar për rritjen e cilësisë së mësimit në shkolla

Përfaqësues të Komunës së Kacanikut dhe ata të programit “Teach for Kosova” kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar grupe të aktivizimit qytetar me qëllim të rritjes së cilësisë së mësimit. Ky grup do të angazhohej për të punuar e bashkëpunuar me prindër dhe me të rinjtë e kësaj komune.

Zahir Doda, drejtor I Arsimit në Komunën e Kaçanikut, ka thënë për Telegrafin, se  fillimisht projekti do të filloi në dy shkolla.

“Grupi, do të përgatisë nxënësit përgjatë kësaj periudhe për zhvillimin e mendimit kritik dhe aktivizmit qytetar duke realizuar 32 orë sesione trajnuese për secilën shkollë. Do të organizojë aktivitetin ‘’Natën e filmit dokumentar’’, ku grupi i ‘’Aktivizmit qytetar’’ do të ketë mundësi të përcjellë një film ose dokumentar edukues e mandej të reflektojë/të debatojë lidhur me të. Do të organizojë aktivitetin “Shkëmbimi i përvojave me komunat tjera”, i cili është koncept i një takimi mes nxënësve të dy shkollave të përfshira në këtë projekt me nxënësit e komunave ku i njëjti projekt është zhvilluar vitin e kalur, pastaj do të organizojë aktivitetin ‘’Garat e debateve brenda komunës’’ dhe shkolla fituese garon me shkollën fituese të komunës tjetër që është pjesëmarrëse në këtë projekt. Do të organizojë aktivitetin ‘’Dëgjimin publik me Kryetarin e Komunës’’ ku nxënësit e dy shkollave të mesme do të kenë rastin të bisedojnë me kryetarin për rreth dy orë”, ka thënë Doda.

Ndërkohë, edhe zyra për informim në këtë komunë nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se Komuna e Kaçanikut, përfaqësuar nga Kryetari Besim Ilazi dhe drejtori për Arsim Zahir Doda, dhe programi “ Teach for Kosova” përfaqësuar nga Egzon Gashi, drejtor ekzekutiv, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi, për zbatimin e projektit “Promovimi i të menduarit kritik dhe qytetarisë aktive tek të rinjtë”.

“Projekti do të realizohet në kuadër të fushës së demokracisë dhe shoqërisë civile, kurse do të financohet nga “ National Endowment for Democraty ( NED). Përmes këtij projekti parashikohet të krijohen grupe të aktivizimit qytetar, brenda dy shkollave të komunës sonë, për realizimin e projektit në mënyrë sa më cilësore, duke filluar nga shtatori 2024 deri në shkurt 2026”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version