Luiz Inacio Lula da Silva, që nga varfëria u ngrit deri në pozicionin e presidentit brazilian para se të turpërohej me skandalin e korrupsionit, në mënyrë spektakolare në moshën 77-vjeçare, është rikthyer në krye të ekonomisë më të madhe të Amerikës Latine.
Lula, siç quhet me dashuri, mundi presidentin aktual të krahut të djathtë Jair Bolsonaro dhe e pengoi atë të fitonte një mandat të ri në krye të Brazilit, këtë e konfirmoi edhe komisioni zgjedhor, transmeton Telegrafi.
Vetëm 18 muaj më parë, i majti me mjekër dhe me një zë të dallueshëm, ishte një i dëbuar politike, i burgosur pas një skandali korrupsioni që ndau kombin.
Opinioni ishte zemëruar me partinë e tij Punëtore (PT), e cila solli Bolsonaron në pushtet në vitin 2018. Por konservatori përçarës humbi shpejt popullaritetin mbi politikat e tij për coronavirusin, akuzat për shkatërrim mjedisor dhe komentet raciste, seksiste dhe homofobike.
“Duhet ta rregullojmë këtë vend.. që populli brazilian të buzëqeshë përsëri”, tha Lula gjatë fushatës së palodhshme duke e përshkuar tërë vendin dhe shfaqej nëpër “podcast” të njohura për të tërhequr votuesit më të rinj.
Ai premtoi se gjatë administrimit të tij, brazilianët do të jenë përsëri në gjendje të “hanë picanha dhe të pinë birrë” gjatë fundjavës, duke iu referuar specialitetit tradicional të mishit të viçit, që u bë i pamundur për shumëkënd si pasojë e inflacionit të lartë.
Këto deklarata të tij tregojnë aftësinë politike dhe afrueshmërinë që e bëri atë të dashur në mbarë botën, dhe Barack Obama dikur e quajti atë “politikanin më popullor në vend”.
Lula karizmatik pati një avantazh të lehtë gjatë fushatës së gjatë dhe polarizuese zgjedhore. Por zgjedhjet ishin të tensionuara dhe Bolsonaro qëndroi në këmbë deri në fund.
Ai u largua nga presidenca në vitin 2010 si heroi i punës, i cili kryesor një bum ekonomik të nxitur nga tregtia që ndihmoi në nxjerrjen e 30 milionë njerëzve nga varfëria.
Pavarësisht frikës në atë kohë, se e majta e tij do të ishte shumë radikale, administrata e Lulas nga viti 2003 deri më 2010 ndërthuri programe pioniere sociale me politikat ekonomike miqësore ndaj tregut.
Ai fitoi reputacionin e një udhëheqësi të moderuar dhe pragmatik. Lula e ktheu Brazilin në një lojtar kyç në skenën ndërkombëtare dhe ndihmoi në sigurimin e Kupës së Botës – FIFA 2014 dhe Lojërat Olimpike 2016 në Rio de Janeiro.
Në fund të mandatit të tij, Lula u mbështet nga 87 për qind e paprecendentë e qytetarëve. Por më pas u tërhoq nga skandali i madh i korrupsionit, në qendër të të cilit ishte kompania shtetërore e naftës Petrobras, e cila përfshinte disa nga politikanët dhe biznesmenët më me ndikim të Brazilit.
Lula i ka mohuar gjithmonë akuzat se ka marrë ryshfet, për të dhënë qasje në kontratat fitimprurëse të Petrobras.
Ajo u mbyll në vitin 2018, kur fitoi Bolsonaro. Ai kaloi më shumë se 18 muaj në burg para se të lirohej në pritje të një apeli. Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë hodhi poshtë dënimin e Lulas dhe konstatoi se kryegjyqtarja e çështjes ishte e njëanshme.
Megjithatë, Lula nuk u shpall i pafajshëm. Shumë brazilianë janë ende të traumatizuar nga përmasat e skandalit të korrupsionit. Shumë prej tyre kanë kujtime të bukura nga prosperiteti ekonomik nën administratën e tij, ndërsa tjerët votuan për të vetëm sa për ta parë Bolsonaron duke u larguar.
Lula u rrit në varfëri ekstreme, i shtati nga tetë fëmijët e lindur në një familje fermerësh analfabetë në shtetin verilindor të Pernambukos. Kur ishte 7-vjeç, familja e tij iu bashkua valës së migrimit në qendrën industriale të Sao Paulos.
Lula ka punuar si lustrues këpucësh dhe shitës i kikirikut, përpara se të bëhej metalpunues në moshën 14-vjeçare. Humbi njërin gisht në vendin e tij të punës gjatë të 60-ve. Shpejt u ngrit në krye të sindikatës dhe udhëhiqte greva të mëdha gjatë të 70-ve që sfiduan diktaturën e atëhershme ushtarake.
Është bashkëthemelues i Partisë Punëtore në vitin 1980 dhe nëntë vjet më vonë kandidoi për kryetar të kësaj partie. Lula ishte tri herë kandidat për president nga viti 1989 deri në vitin 1998, dhe më në fund fitoi në vitin 2002 dhe përsëri katër vjet më vonë. Kjo ishte fushata e tij e gjashtë presidenciale
I martuar dy herë dhe babai i pesë fëmijëve, mundi kancerin në fyt dhe në vitin 2017 humbin gruan e tij të dytë Marisa Leticia Rocco pas një sulmi në tru, pas katër dekadash martesë. Lula tha se është “përsëri i dashuruar sikur të ishte 20-vjeç” me Rosangelo “Janjo” da Silva, sociologe dhe aktiviste e Partisë së Punëtorëve, me të cilën u martua në maj. Në anën tjetër Lula ka njoftuar se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë. /Telegrafi/