Site icon Telegrafi

Ka një ndër fondet më të mëdha librare në vend, punimet në objektin e biblotekës “Latif Berisha” në Mitrovicë afër përfundimit

Punimet në biblotekën "Latif Berisha" në Mitrovicë. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Bibloteka e Mitrovicës “Latif Berisha” është një ndër institucionet që ende nuk ka një objekt të përhershëm. Por, më në fund, pas më shumë se dy dekada tashmë janë duke u zhvilluar punimet për ndërtimin e objektit të biblotekës.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Fahri Jashari, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se punimet planifikohen të përfundojnë në shtator të vitit 2025, por sipas tij, që tashmë janë në përfundim të punimeve, shkruan Telegrafi.

“Kompania ose punëkryesi është duke i përfunduar punimet një vit para kohe. Jemi të kënaqur me punën që po bëhet në biblotekën e qytetit. Janë duke vazhduar punimet, ka mbetur shtrimi i dyshemesë me mermer dhe disa finalizime tjera”, ka thënë Jashari.

Ai tutje shtoi se tashmë janë në periudhën e liçencimit të ashensorit dhe kyçjes së energjisë elektrike, ujit e kanalizimit.

Punimet në biblotekën e qytetit. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

“Objekti është i ndërtuar në dy kate, por ka edhe pjesën e podrumeve. Është hapësirë e mjaftueshme. Është mirë që Mitrovica për herë të parë do të ketë një objekt, i cili do të jetë objekti më modern jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Plotëson të gjitha kriteret për të qenë bibliotekë e qytetit”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë tutje se biblioteka në Mitrovicë është një ndër bibliotekat që ka fondin librar më të madh në Kosovë.

“Biblioteka ‘Latif Berisha’ lirisht mund të them se është një ndër biblotekat që ka fondin librar më të madh në vend, jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhët e komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë”, është shprehur Jashari.

Në pjesën e punimeve të biblotekës do të përfshihet edhe oborri i saj, i cili sipas Jasharit, do të ofroj kushte për lexim edhe në ambient të jashtëm.

Punimet në biblotekën “Latif Berisha”. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Ndërsa, për pjesën e mungesës së një objekti të përhershëm të kësaj bibloteke, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës është shprehur se këtë qytet e ka përcjell “fati i keq” i pasluftës.

“Mitrovica e ka pasur fatin e keq që e ka trashëguar disa të këqija pas luftës sepse përveç dëmeve në shumicën e biblotekave, na ka përcjellë edhe një fat i keq. Objektin që e ka pasur me vite ka qenë pjesë e procesit të shitjes së AKP-së dhe Komuna e Mitrovicës është detyruar të siguroj një hapësirë për të vendosur bibliotekën. Fillimisht është vendosur në ish-objektin e Bankos-it, as aty nuk kanë qenë kushtet e mira dhe shumë prej fondit librar që ka pasur bibloteka është dashur të mbahej në paketa për shkak të hapësirës së kufizuar. Më vonë ka ndodhur një proces i shitjes së objektit të atij lokali poshtë dhe është një proces gjyqësor që ende është i hapur sepse AKP-ja ka pretenduar se është objekti i tyre, ne kemi pretenduar se është objekti ynë dhe akoma ka mbetur proces i papërfunduar”, ka theksuar Jashari.

Ai ka bërë të ditur se funksionalizimin e kësaj biblioteke e kanë vështirësuar ende më shumë vërshimet e fundit.

“Pas shitjes së atij lokali, bibloteka është transferuar në qendrën ‘OmniSport’, e që as këtu nuk janë plotësuar kushtet elementare sepse gjatë verës objekti ka qenë shumë i nxehtë, ndërsa gjatë dimrit shumë i ftohtë. Për ta vështirësuar ende funksionalizimin e kësaj bibloteke kanë qenë vërshimet e fundit që kanë prishur sistemin e ngrohjes qendrore dhe klimës, kjo e ka vështirësuar më shumë punën”, ka potencuar Jashari.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Fahri Jasahri ka përfunduar duke thënë se ndërtimi i biblotekës ka ardhur si kërkesë e përbashkët e stafit të bibliotekës, por edhe të qytetarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version