Telegrafi

‘Ka ndodhur’ – Neymar nuk e mohon incidentin në zhveshtoren e PSG-së

(Foto: EPA)

Ylli i Paris Saint-Germainit, Neymar, e ka konfirmuar incidentin, ku përfshihej vet ai, bashkëlojtari Marquinhos dhe këshilltari sportiv, Luis Campos.

Mediat franceze kanë raportuar se pas humbjes nga Monaco të shtunën, Campos kishte shkuar në zhveshtore për t’i kritikuar lojtarët për paraqitjen e tyre, por hasi në një kundër-reagim.

Gjatë një konference për shtyp në Parc des Princes para ndeshjes ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve, braziliani nuk e ka shmangur pyetjen dhe ka pranuar të ketë ndodhur incidenti.

Lexo po ashtu Prishje raportesh te PSG: Neymar i kritikoi bashkëlojtarët dhe pas ndeshjes pati zënkë me këshilltarin e futbollit

“Ka ndodhur. Ne nuk u pajtuam me atë çfarë thuhej në atë çast, prandaj patëm një diskutim në lidhje me këtë. Unë flas me gjithë miqtë e mi secilën ditë dhe i dua të gjithë. Është njësoj sikurse atë që bëj me të dashurën time”.

(Foto: Icon Sport)

“Ne flasim për futbollin, të gjithë ne. Futbolli ka të bëjë me komunikimin. Padyshim që ka respekt nga të dyja palët dhe nganjëherë nuk pajtohesh me gjërat. Prandaj, mund të ketë një diskutim për ta përmirësuar skuadrën, atmosferën, lojën tonë”, ka thënë mes tjerash Neymar.

Sulmuesi ishte përfshirë edhe në një incident gjatë ndeshjes duke i kritikuar haptas bashkëlojtarët e tij, Vitinha dhe Hugo Ekitike, për mospasimin e topit në zona të duhura dhe për vendimet e dobëta para portës.

Lexo po ashtu PSG e do largimin e Neymarit – futbollisti më i shtrenjtë në histori pritet të nxirret në shitje në verë

Reagimet e tij të fundit thuhet të kenë nxitur humbjen e durimit të parisienëve, të cilët janë të gatshëm ta vendosin në listën e shitjeve në afatin kalimtar veror. /Telegrafi/