Mesfushori i Bayern Munichut, Leon Goretzka, raportohet se është i mërzitur për faktin se ka humbur vendin e tij në skuadër pas ardhjes së Vincent Kompany.
Goretzka nuk ishte pjesë e ekipit të Bayernit që mposhti me rezultat tenistik 6-1 ekipin e sapopromovuar në elitë Holstein Kiel.
Reprezentuesi gjerman, i cili ka bërë 222 paraqitje për Bayernin që prej se u bë pjesë e tyre nga Schalke 04 në vitin 2018, nuk ka luajtur gjithashtu as në fitoren ndaj SSV ULM 1846 në Kupën e Gjermanisë.
Me të vërtetë, Goretzka ka luajtur vetëm një minutë futboll zyrtar për bavarezët gjatë këtij sezoni.
Duke folur para fitores së Bayernit këtë vikend, drejtori sportiv Max Eberl shpjegoi përjashtimin e 29-vjeçarit nga skuadra, duke shtuar se lojtari ishte i mërzitur.
“Ne kemi komunikuar mjaft qartë që nga fillimi. Leon e di se ne po mbështetemi tek Pavlo (Aleksandar Pavlovic) dhe duam ta sjellim Palhinhan dhe Kimmich që të luajnë më shumë në qendër. Është vetëm për shkak se konkurrenca është e ashpër”.
“Ne gjithashtu kemi thënë se Leon është aty dhe i gatshëm që të përballet me këtë situatë, ai do të trajtohet plotësisht normalisht”.
“Leon është një djalë i mrekullueshëm. Më pëlqen shumë, ani pse ai natyrisht është i mërzitur për momentin. E kuptoj këtë gjithashtu, por është pjesë e jetës në futboll”, ka thënë Eberl.
Goretzka ka shënuar 40 gola dhe ka bërë 46 asistime gjatë këtyre gjashtë viteve tek Bayerni, ndërsa ka fituar pesë tituj të Bundesligës e po ashtu edhe Ligën e Kampionëve./Telegrafi/