Telegrafi

Ka dyshime për helmimin e tij, gruaja e të ndjerit Muamer Zukorliq thotë se myftiu ishte kërcënuar që nga viti 2006

Elma Elfiq Zukorliq, bashkëshortja e dytë e Muamer Zukorliq ka folur për akuzat për helmim të Myftiut, të cilat së fundi i ka paraqitur djali i tij, Usama Zukorliq.

Furtuna e shkaktuar nga pretendimet e djalit të Muamer Zukorliqit, Usama në konferencën për media në Novi Pazar, nuk po shuhet prej ditësh, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Me atë rast ai ka theksuar se dyshohet se babai i tij është helmuar me metale të rënda, në bazë të analizës së gjakut të myftiut, të marrë ditën kur është varrosur Zukorliq.

Dhe bashkëshortja e myftiut, Elma, duke folur për nova.rs, ka thënë se akuzat për helmim të mundshëm i ka marrë vesh nga media.

Lexo po ashtu Urdhërohet zhvarrosja e trupit të Muamer Zukorliqit - dyshohet se një helmim i kishte shkaktuar vdekjen

“Si të gjithë, edhe unë përmes një konference për media mora informacionin për helmimin e bashkëshortit tim Muamer Zukorliq, i cili më tronditi dhe më lëndoi mua dhe fëmijët e mi… Në mënyrë që unë dhe fëmijët e mi të kemi një pasqyrë të të gjithë procesit, punësuam një ekip avokatësh”, është shprehur Elma.

Ndërsa e pyetur nga mediumi serb nëse myftiu ka marrë ndonjë kërcënim ndonjëherë, Elma tregon se ato kanë ekzistuar.

“Që nga viti 2006, veçanërisht gjatë periudhës së sulmit ndaj Bashkësisë Islame, ka pasur kërcënime të caktuara. Për këto kërcënime Myftiu shumë shpesh ka folur edhe në mediat ku ka qenë i ftuar…”.

“Nëse e keni fjalën për kërcënime të drejtpërdrejta, unë nuk kam njohuri të tilla”.

Bashkëshortja e Zukorliqit pret që prokuroria dhe policia të bëjnë gjithçka për të zbardhur rrethanat e vdekjes së bashkëshortit të saj.

Lexo po ashtu Vdes Muamer Zukorliq, ish-kryemyfti dhe përfaqësues politik i boshnjakëve në Serbi

Kujtojmë, Usama Zukorliq, djali i ish-myftiut Muamer efendi Zukurliq, ka deklaruar se ka mundësi që babai i tij të jetë helmuar me metale të rënda.

Dhe pas konferencës, edhe gruaja e dytë e Muamer Effendi Zukorliqit, Elma, ka bërë të ditur se ka kërkuar zhvarrosjen e ish-myftiut në profilin e saj në Instagram.

Ndryshe, ish-myftiu dhe kryetari i PSP-së, Muamer Zukorliq, ka ndërruar jetë papritur në moshën 51-vjeçare, më 6 nëntor 2021, pas një ligjërate në Universitetin Ndërkombëtar në Novi Pazar.

Deri më tani besohej se myftiu ka vdekur si pasojë e një ataku kardiak. /Telegrafi/