Kushtet në të cilat po jetojmë, kanë shkaktuar kriza nga më të ndryshmet në rrethet familjare, gjë kjo që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm në marrëdhëniet midis çiftit, por edhe tek fëmijët.
Pyesim çiftet që përjetojnë momente “krize”: A e menduat çdo gjë më së miri para se të vendosnit për t’u divorcuar? A e menduat se si do të ndikohen fëmijët tuaj nga një situatë e tillë?
Divorci mund të përkufizohet si dhënie fund një kontrate midis dy personave që më parë kishin vendosur të bashkonin jetën e tyre. Fatkeqësisht ky fenomen në ditët tona vihet re të ketë një rritje mjaft të shpejtë, transmeton Telegrafi.
Divorci mund të shkaktohet nga shumë faktorë. Zakonisht, mosmarrëveshjet në çift dhe zhgënjimi nga njëri tjetri janë ato që çojnë në dhunën në familje, në lindjen e problemeve ekonomike, në tradhti bashkëshortore etj.
Sidoqoftë, divorci po aq sa ndikon çiftin, ndikon edhe të afërmit e tyre si fëmijët, prindërit etj. Prindërit, mund të ndahen nga njëri tjetri, por kurrë nga fëmijët e tyre. Nuk mund të mos mendohet që ata, si pjesë mjaft e rëndësishme e institucionit të familjes të mos ndikohen nga një shpërndarje e saj.
Ky ndikim, zakonisht nuk shfaqet në problemet që këta fëmijë paraqesin pas shumë vitesh, si një tubim ndjenjash të frenuara. Tek këta fëmijë, shfaqen probleme të theksuara psikologjike, të dukura këto më shumë në momentin që bëhen vetë prindër.
Njerëzit para se të martohen mendojnë gjerë e gjatë. Pyesin miq e shokë dhe pasi duket se janë siguruar edhe me ndjenjat e tyre, vendosin të martohen. Por, të hedhësh themelet e një familjeje të re, nuk është edhe shumë e lehtë.
Po ashtu, edhe divorci para se të vendoset për tu kryer, kërkon që të mendohesh gjerë e gjatë. E njëjta përgjegjësi që mendohet para martesës, e njëjta duhet të kihet parasysh edhe para divorcit.
Çifti midis tyre duhet të ketë parasysh që të shmang nga fjalori fjalën “divorc” për gjëra të vogla. Ajo që nuk duhet harruar kurrë, është që “divorci” të mendohet si zgjidhja e fundit përkundrejt situatave që has.
Duhet të mendohet mirë nëse divorci do t’u japë fund problemeve, apo të çelë rrugë për probleme të tjera. A jeni të sigurt se do të mund të përballoni problemet që do të lindin pasi të jeni ndarë?
Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme është edhe mënyra se si i thuhet fëmijëve vendimi për divorc, nëse tashmë është arritur në atë pikë. Kjo duket të jetë edhe pika më e vështirë për prindërit, pasi këta janë edhe ata mbi të cilat rëndojnë më shumë pasojat e këtij fenomeni.
Para se t’u thuhet një vendim i tillë, fëmijët duhet të jenë të përgatitur, pse jo të merret edhe ndihma e ndonjë psikologu. Sipas moshës së fëmijës duhet të përdoren edhe fjalët dhe shprehjet me të cilat do t’i transmetosh situatën, shkaqet e divorcit, atë që nuk ka mbetur më rrugë tjetër për të vazhduar së bashku nëna dhe babai, në një situatë të tillë duhet të kenë kujdes që në asnjë mënyrë të mos ulin dhe fyejnë njëri tjetrin në syrin e fëmijës.
Në një rast të tillë, nga një fëmijë që nuk është mësuar dhe nuk di gjë mbi divorcin, mund të vijnë reagime nga më të ndryshmet. Këto sjellje, janë më të dukshme tek ata fëmijë mosha e të cilëve është ende e vogël dhe janë të lidhur shumë pas nënës apo babait. Fëmija mund të ushqejë ndenja nga më të ndryshmet duke fajësuar njërin nga prindërit.
Si pasojë e situatës në të cilën gjenden, tek ai/ajo mund të vihen re edhe nënvleftësim i shkollës, rënie nga mësimet, nervozizëm etj. Për ata që janë të një moshe akoma më të vogël, shfaqen probleme edhe në kryerjen e nevojave urinare të cilët në të shumtën e rasteve i bëjnë ato në gjendje të veshur.
Ja disa mënyra që lehtësojnë sadopak ndikimin negativ tek fëmijët kur prindërit kanë vendosur të ndahen:
* Prindërit e ndarë nuk duhet të harrojnë se mund të jenë ndarë nga njëri tjetri, por jo nga fëmijët.
* Fëmija gjithmonë ka nevojë për mbështetjen dhe dashurinë e prindit. Çifti i ndarë, edhe pse të tillë, nuk duhet të harrojë që t’i qëndrojë pranë fëmijës sa herë ka nevojë. Nuk duhet të shtyjë në asnjë mënyrë kohën e vendosur për të kaluar së bashku me fëmijën.
* Prindërit e ndarë nuk duhet t’u flasin keq fëmijëve për njëri tjetrin.
* Fëmija duhet të lajmërohet për çdo ndryshim që mund të ndodh pas divorcit. Duhet të mënjanohen ndikime negative të menjëhershme mbi fëmijën si p.sh., ndryshim qyteti, shkolle, shoqërie etj.
* Duhet të përballohen të gjitha nevojat e fëmijës për edukim, mirëqenie etj.
* Duhet të lejohet takimi i fëmijës me prindin tjetër me të cilin jetojnë të ndarë.
* Nuk duhet në asnjë mënyrë që veprime të nxituara të fëmijës t’i përngjasohen prindit tjetër (je si yt atë, apo jot ëmë)
* Gjatë procesit të divorcit, prindërit duhet të jenë të sinqertë me fëmijën. Nuk duhet të gënjehen asnjëherë.
/Telegrafi/