Shumë persona ndjekin dieta strikte për të humbur peshë.
Por a duhet të jetë ky vërtet qëllimi kryesor i një diete? Sipas një studimi të ri, ju mund të jeni në gjendje të ulni kolesterolin dhe të përmirësoni nivelet e sheqerit në gjak pa humbur peshë nëse ndiqni një plan ushqimor të veçantë: dietën nordike.
Çfarë është dieta nordike?
Dieta nordike ekziston prej disa kohësh dhe është e preferuara e fansave. Përmban ushqime nga rajonet nordike si Danimarka, Islanda dhe Norvegjia, ajo është mjaft e ngjashme me dietën mesdhetare (mendoni frutat dhe perimet e freskëta, drithërat dhe proteinat pa yndyrë).
Megjithatë, ka disa dallime kryesore. Ndërsa dieta mesdhetare përfshin një sasi të vogël të qumështit dhe mishit të kuq, dieta nordike ju lejon të hani më shumë bulmet për sa kohë që janë me pak yndyrë. Vaktet nordike gjithashtu ju inkurajojnë të hani mish dreri apo lepuri.
Përveç kësaj, frutat dhe perimet skandinave përfshijnë kryesisht manaferrat dhe perimet me rrënjë – prodhimet që janë të disponueshme në rajon.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm? Vajrat e gatimit. “Dieta nordike përmban vaj luledielli, ndërsa dieta mesdhetare përmban vaj ulliri”, thotë për Woman’s World , Michelle Rauch.
Testimi i përfitimeve të dietës nordike
Në një studim të vitit 2021 të botuar në Journal of Clinical Nutrition, studiues nga Danimarka, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia donin të kuptonin më mirë përfitimet e dietës nordike. Pra, ata rekrutuan 200 të rritur, të cilët të gjithë kishin një indeks të ngritur të masës trupore, ose BMI (ata konsideroheshin mbipeshë). Të gjithë pjesëmarrësit kishin gjithashtu një rrezik më të lartë të diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.
Studiuesit i ndanë pjesëmarrësit në dy grupe: ata që ndoqën një dietë nordike për gjashtë muaj dhe ata që ndoqën një dietë kontrolli (dietat e tyre të rregullta, pa asnjë ndryshim). Pas analizimit të mostrave të gjakut dhe urinës, studiuesit përcaktuan një “fitues” të qartë – dietën nordike.
“Grupi në dietën nordike u bë dukshëm më i shëndetshëm, me nivele më të ulëta të kolesterolit, nivele më të ulëta të përgjithshme të yndyrave të ngopura dhe të pangopura në gjak dhe rregullim më të mirë të glukozës, krahasuar me grupin e kontrollit”, shpjegoi Lars Ove Dragsted , një studiues dhe drejtues i seksionit në Departamentin e Ushqyerjes, Ushtrimeve dhe Sporteve të Universitetit të Kopenhagës. /Telegrafi/