Site icon Telegrafi

Ju kujtohet Louis Saha i Manchester United? Pas karrierës së tij, ai fitoi miliarda duke investuar në biznes

Sulmuesi dikur i famshëm francez dhe futbollisti i Manchester United, Louis Saha, pas përfundimit të karrierës së tij si lojtar, fitoi miliarda euro falë një sipërmarrjeje të madhe biznesi.

Ndërsa disa futbollistë shpërdorojnë shpejt të gjithë pasurinë e fituar në terrenet e futbollit, Louis Saha investoi paratë e tij me mençuri dhe fitoi një shifër të pakrahasueshme me atë që kishte kur shkëlqente në fusha në të gjithë Evropën.

Saha e mbylli karrierën e tij në vitin 2013 dhe filloi menjëherë biznesin e tij të quajtur AxisStars. Siç prezantohet zyrtarisht kompania, është një “komunitet që mundëson lidhjet mes sportistëve profesionistë, artistëve, kolegëve dhe partnerëve të tyre”. Aktualisht, rreth 550 atletë përdorin shërbimet e saj.

Ai qëndroi në botën e sportit dhe së bashku me të, ish-shefi i marketingut në Manchester United, Mike Farnan, drejtori i teknologjisë Patrice Arner dhe ekspertja e marketingut Kate Hamer iu bashkuan biznesit.

Siç raportohet nga MSN, biznesi është në rritje që nga viti 2013 dhe aktualisht ka arritur në vlerën e 4.2 miliardë euro. Më mbresëlënëse, vlera aktuale neto e vlerësuar e Louis Saha është 5.16 miliardë euro.

Kur filloi biznesin, ai theksoi se do të kishte dashur të kishte një mbështetje të tillë kur ishte një futbollist i ri. Kjo është pikërisht ajo që ai krijoi.

“Do të doja ta kisha zotëruar më mirë punën kur isha duke luajtur. Tani jam në pension dhe kam ende një rol të madh në ndarjen e përvojës me lojtarët e rinj. Do të doja të kisha këtë lloj platforme si lojtar. Do të më kishte ndihmuar të menaxhoja karrierën time dhe të planifikoja shumë më mirë për të ardhmen”, tha Saha për biznesin e tij të nisur.

Gjatë karrierës së tij, futbollisti francez shënoi 159 gola në 492 paraqitje në të gjitha garat. Ai është dy herë kampion i Anglisë dhe fitoi Ligën e Kampionëve me Manchester United.

46-vjeçari e nisi karrierën te Metz në Francë, derisa qëndroi për 14 vite në Ligën Premier duke luajtur për skuadrat si Newcastle United, Fulham, Everton, Tottenham Hotspur dhe Sunderland. /Telegrafi/

Exit mobile version