Telegrafi

Jose Mourinho deklarohet pas humbjes turpëruese ndaj Bodo/Glimt: Faji është i imi, por kam skuadër të limituar

Një humbje e pabesueshme për Romën e Jose Mourinhos, ku romakët u turpëruan 6-1 në Norvegji përballë Bodo/Glimt në një mbrëmje makthi.

Tifozët janë të tërbuar në rrjetet sociale, pasi nuk mund ta pranojnë një poshtërim të tillë.

Pas përfundimit të ndeshjes Jose Mourinho e pranoi se Roma e tij është e limituar në cilësi.

“Përgjegjësia është imja, që kam vendosur të luaj me këtë ekip. Kisha qëllime të mira, doja t’u jepja mundësinë njerëzve që punojnë shumë për të luajtur, bëra rotacion dhe u thashë lojtarëve që luajnë gjithmonë se duhej të pushonin. Fusha ishte e vështirë, por humbëm kundër një ekipi që kishte më shumë cilësi se ne”.

“Nëse do të mund të luaja gjithmonë me të njëjtët, do ta bëja. Sidoqoftë, ky është një rrezik i madh, ekziston një ndryshim i madh në cilësi midis një grupi lojtarësh dhe një grupi tjetër, vendosa që në këtë fazë ishte e drejtë të bëheshin këto ndryshime. Unë e di që disa lojtarë kanë limite, nuk është asgjë e re, por prisja një përgjigje tjetër. Përgjegjësia është imja”.

“Kam folur me lojtarët dhe kam qenë i sinqertë me ta, përpiqem të flas. Nuk e kam fshehur asnjëherë që jemi një skuadër me shumë limite, një gjë janë 12-13 lojtarët dhe tjetër gjë pjesa tjetër”.

“Tani askush nga ju nuk do të më thotë pse luajnë gjithmonë të njëjtin formacion”, ka deklaruar portugezi. /Telegrafi/